Babë e bir dënohen për aksidentin me fatalitet

Nezir dhe Arton Duraku (babë e bir) janë gjetur fajtor për vdekjen e F. Sh. në aksident komunikacioni në fshatin Jashanicë, në nëntor 2022.

Gjykata në Pejë Arton Durakun e ka gjetur fajtor për rrezikim trafiku dhe të njëjtit i ka shqiptuar dënim me tetë vite dënim me burgim, kurse për mos dhënie të ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut të njëjtin e ka dënuar me tre vite dënim me burgim.

Si dënim unik të njëjtit i është shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej 10 viteve.

Ndërsa Nezir Duraku po ashtu gjykata e ka gjetur fajtor për mos dhënie të ndihmës dhe i njëjti është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 5 viteve.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Pejës, Arton Duraku dhe babi i tij Nezir Duraku, po ngarkohen me tre dispozitivë.

Arton Duraku po akuzohet për rrezikim të trafikut publik dhe për mosdhënie të ndihmës personit të lënduar në fatkeqësi trafiku. Kurse Nezir Duraku vetëm për mosdhënie të ndihmës.

Sipas aktakuzës i njëjti më datës 21.11.2022 në fshatin Jashanicë të komunës së Klinës, ka shkelur ligjin e trafikut publik, ka vozitur pa patentë shofer kamionin e markës Mercedes.

I njëjti automjet ishte pa regjistrim si dhe jo i rregullt teknikisht, në të cilin automjet kishte rimorkion e kamionit dhe një rimorkio shtesë për transport të ekskavatorëve.

Me të arritur në fshatin e lartcekur, Arton Duraku si vozitës nuk e përshtat shpejtësinë e lëvizjes duke shkuar 90km/h, në shpejtësinë e lejuar me 50km/h. Me këtë shpejtësi i njëjti kalon në shiritin e majtë, në shiritin e kundërt qarkullues dhe godet një automjet të tipit “Opel” duke lënë të vdekur shoferin e automjetit “Opel”, F. SH.

Në dispozitivin dy, Artani akuzohet që nuk i ka ofruar ndihmë personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut.

Sipas Prokurorisë pas aksidentit Artani dhe babi i tij Neziri ndalin kamionin, afrohen afër viktimës dhe të njëjtit nuk i ofrojnë ndihmë duke u larguar nga vendi i ngjarjes gjersa viktima ndërron jetë.