Foto: KALLXO.com

Avokati serb: Serbia duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës

Avokati serb, Çedomir Stojkoviq, në një intervistë për RTV Dukagjini, ka thënë se personalisht e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe se, sipas tij, një gjë të tillë duhet ta bëjë edhe shteti i tij, Serbia.

Sipas tij, është në interes të Serbisë që ta njohë dhe ta ndihmojë Kosovën në rrugën e saj ndërkombëtare.

Ai theksoi se pavarësia e Kosovës është tashmë një fakt i kryer.

“Jo vetëm që e pranoj pavarësinë e Kosovës, konsideroj që është në interes të Serbisë ta pranojë pavarësinë e Kosovës, e vetmja rrugë me të cilën është Serbia të shkojë është ta ndihmojë fqinjin Kosovën që të bëhet anëtare e të gjitha organizatave ndërkombëtare, interesi natyror është që fqinji i tij të jetë i mirë… mendoj jo vetëm që e njoh pavarësinë e Kosovës, kjo është kryer që moti. Vendi im duhet ta ndihmojë Kosovën jo vetëm ta arrijë nivelin e plotë të pavarësisë, por ta ndihmojë dhe të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën” – tha ai./Dukagjini