Foto: Facebook, Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil

Avokati i Popullit: Nuk ka pasur bashkëpunim mes Sindikatës së Punëtorëve dhe Aviacionit Civil

Avokati i Popullit ka dal me konstatime dhe rekomandime në rastin e Shoqatës Sindikale të Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës që ishin ankuar te ky institucion për shkak të mospërfshirjes në riorganizimin e brendshëm dhe pretendimit për presion nga drejtori.

Disa punonjës së AAC-së në korrik të vitit të kaluar kanë deponuar tek Avokati i Popullit një ankesë ku kanë paraqitë, sipas tyre, problemet e disa punëtorëve me menxhamentin e Aviacionit Civil. Punëtorët, që ishin deklaruar edhe si anëtarë të shoqatës sindikale, pretendonin se në fund të vitit 2020, kur në AAC kishte nis një riorganizim i brendshëm, sindikata e punëtoreve nuk ishte ftuar dhe përfshirë në këtë proces.

Gjithnjë sipas ankueseve, menaxhmenti dhe i pari i AAC-së, Bujar Ejupi kishte nis të bënte presion mbi punëtorët.

Siç përshkruhet tutje në raport, në bazë edhe të deklarimeve të ankuesve, një anëtare e shoqatës sindikale, punonjëse e AAC, është larguar nga puna.

Në bazë të gjetjeve dhe analizës, Institucioni i Avokatit të Popullit ka dal me disa konstatime.

“Liria e asocimit është e garantuar, vërehet se ka munguar vullneti i shprehur për bashkëpunim me Shoqatën Sindikale të Punëtorëve të AAC. Mosbashkëpunimi krijon divergjenca dhe probleme me efekte zingjirore”, thuhet në raport.

Veprimet e menaxhmentit të AAC-së ndaj disa punëtorëve, anëtarë të shoqatës së punëtorëve, sipas Avokatit të Popullit, krijojnë frikë dhe pasiguri tek zyrtarët e tjerë dhe pengojnë lirinë e asocimit.

“Avokati i Popullit konstaton se zyrtarët e shoqatës sindikale, përfaqësuesit e tyre të angazhuar në negociata kolektive apo edhe anëtarët e sindikatës nuk duhet që për shkak të qenët pjesë e sindikatës të kenë pasoja të dëmshme në formë të largimit nga puna”, thuhet tutje në raport.

Në fund të konstatimeve, IAP thekson që shoqatës së punëtorëve të AAC-së duhet t’i sigurohet qasje e papenguar në çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të anëtarëve të saj.

Në fund, Avokati i Popullit ka nxjerrë edhe katër rekomandime, tre nga to për Autoritetin e Aviacionit Civil.

“AAC të ndërmarrë të gjitha masat në respektim të drejtës së asoscimit dhe organizmit sindikal pa as një pengesë ose masë që kufizon ose diskriminon anëtarët  në organizim sindikal. Të rritet niveli i bashkëpunimit me Shoqatën Sindikale të Punëtorëve të AAC në ushtrim të plotë të detyrave sipas qëllimit të themelimit dhe përmbushjes me sukses të funksionit për të cilën është krijuar”, thuhet në rekomandime.

“Në kuadër të haritmit të politikave të brendshme në AAC t’i mundësojë qasje edhe shoqatës sindikale në mënyrë që të dëgjohen edhe propozimit e tyre”, thekson raporti.

Ndërsa, IAP ka pas një rekomandim edhe për Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

“Brenda kompetencave të ushtroj mbikëqyrjeje në funksionimin e Autoritetit të Aviacionit Civil, përfshirë gjendjen e krijuar në raportet sindikatë- udhëheqje e institucionit”, thuhet në fund të raportit.

Sindikata e punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës ka reaguar në vazhdimësi për problemet brenda këtij institucioni.

KALLXO.com ka kërkuar një koment edhe nga Bujar Ejupi, drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil reagon ndaj ndëshkimit të punëtorëve nga drejtori i përgjithshëm