Foto: Facebook, Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil
Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil ankohet në komisionin parlamentar për keqmenaxhim nga drejtori
Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione sot është takuar me përfaqësuesit e Sindikatës së punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil.
Përmes një njoftimi në Facebook, Sindikata e ACC-së ka thënë se përfaqësuesit e SPAAC raportuan para deputetëve mbi keqmenaxhimin e AAC-së nga ana e Bujar Ejupit dhe iu përgjigjën pyetjeve të shumta të deputetëve.
“Kultura ndëshkuese, diskriminimi në baza gjinore, degradimi i kapaciteteve mbikëqyrëse, konflikti i Ejupit me operatorët dhe hakmarrja e tij nga pozita e rregullatorit ishin vetëm disa nga temat e diskutuara gjatë takimit” – thuhet në njoftimin e kësaj Sindikate.
Sipas këtij njoftimi, deputetët u shprehën të jenë të brengosur për situatën e krijuar në këtë institucion dhe ndikimin që kjo situatë ka në kryerjen e përgjegjësive ligjore primare e që është siguria e aviacionit civil.
Lindita Kika- Berisha, Hysa Matoshi, Besnike Ukmata, Albulena Gërxhaliu dhe Leonora Ibraj, punonjëse në Autoritetin e Aviacionit Civil, kanë shprehur shqetësimin e tyre përmes një letre ndaj drejtorit, Bujar Ejupi, për ‘shkelje të ndryshme dhe diskriminim’.
Për ketë dhe ankesa tjera të punëtorëve, Ejupi më 1 nëntor ishte thirrur në raportim nga Komisioni për të Drejta të Njeriut.
Ndërkaq, në korrik të këtij viti, bordi mbikëqyrës i Autoritetit të Aviacionit Civil i kishte kërkuar Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që të aktivizojnë pikën 4 të nenit 20 të Ligjit për Aviacionin Civil që parasheh hapat kur duhet të shkarkohet drejtori i këtij institucioni.
Këtë kërkesë, bordi mbikëqyrës e ka arsyetuar në një letër 4-faqëshe në të cilën ka listuar katër shkelje që ata pretendojnë që i ka bërë drejtori i këtij institucioni, Bujar Ejupi.