Ankesat për shkelje e diskriminim të pesë punëtoreve të Autoritetit të Aviacionit Civil, deklarohet ministri Aliu

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione ka diskutuar lidhur me kërkesën/peticionin e pesë grave-zyrtare në Autoritetin e Aviacionit Civil, lidhur me pretendimet e tyre për shkelje të ndryshme dhe diskriminim gjinor.

I ftuar ishte Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Aliu në këtë Komision ka folur për problemin brenda AAC-së duke thënë se është njoftuar jo mjaft shumë.

“Presim të kemi një raport, raporti i fund vitit pas këtij raporti do kemi raportin e AAC në takim do i sqaroj çështjet e raportit dhe ankesave nga punëtorët. Do merremi me probleme dhe zgjidhjen e tyre” – ka thënë ai.

“Deri në shtator Agjencioni i Aviacionit Civil ka raportuar në Kuvend dhe në kohën kur është bërë edhe ankesa edhe peticioni edhe vendimi nga ana e Avokatit të Popullit dhe rekomandimet e tij ka qenë në kohën kur Agjencioni i Aviacionit Civil ka qenë nën kompetencë të Kuvendit” – ka shtuar Aliu.

Tutje ai ka thënë se me çka ka kuptuar problemet janë bukur të thella, duke shtuar se problem themelor është rregullorja e brendshme e punës që sipas tij nuk është avancuar dhe harmonizuar në përputhje me ligjin.

“Kjo do të duhej të ishte zgjidhje kryesore. Problemet do zgjidhen me zgjidhjen  e rregullores së brendshme, kjo do të mundësoj që të ketë eliminim të diskriminimeve sepse do të jetë në përputhje me ligjin” – ka thënë ai.

Aliu ka shtuar se rregullorja është bërë në vitin 2011, ndryshime të vogla janë bërë në vitin 2018, ndërsa sipas Aliut drejtori ka ardhur në vitin 2019.

Edhe deputetja Duda Balje ka folur në këtë komision duke thënë se prej punëtorëve janë 18 ankesa.

“Po flasim për AAC, është e rrezikshme, nëse ata nuk punojnë mirë ne paguajmë çmim serioz. Ato gra janë duke bërë punë serioze. Menaxhimi i keq brenda një institucioni për mua është shumë serioze. Diçka këtu për mua nuk është mirë” – tha Balje.

“Ne s’kemi diskutu veç me gratë por edhe me Sindikatën edhe ata i kanë pasur fjalët e njëjta” – shtoi tutje ajo.

Deputetja Albana Bytyqi pati një pyetje për ministrin Aliu.

“Gjatë takimit me gratë e diskriminuara në punë ato kanë thënë që kanë dërgu email por s’kanë marrë përgjigje nga ministria. Pse s’keni bo asgjë në komisionin tuaj” – u shpreh deputetja.

Kësaj pyetje Aliu iu përgjigj duke i thënë se komplet AAC ka qenë nën raportim të Kuvendit.

“Do të hyjmë fije për pe në të gjitha ankesat. Nuk mund të kthejmë përgjigje në ankesa. Jemi në 3 mujorin e parë të punës. mendoj që ky takim është pak i hershëm. Pasi ta kemi raportin do të bisedojmë në detaje” – tha ai.

Gjithashtu kryetarja e Komisionit për të drejtat e njeriut Duda Balje tha se raporti i Avokatit të Popullit dhe i Këshillit të Pavarur për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, kanë qenë në favor të punëtorëve e që janë injoruar nga drejtori.

Në fillim të muajit nëntor KALLXO.com ka raportuar për ankesën e pesë punëtorëve të AAC-së. Lindita Kika- Berisha, Hysa Matoshi, Besnike Ukmata, Albulena Gërxhaliu dhe Leonora Ibraj, punonjëse në Autoritetin e Avoacionit Civil, kanë shprehur shqetësimin e tyre përmes një letre ndaj drejtorit, Bujar Ejupi, për ‘shkelje të ndryshme dhe diskriminim’.

Lindita Kika – Berisha po pretendon se drejtori ia ka marrë përgjegjësitë profesionale të sigurisë pas 17 vjete përvojë pune dhe ia ka kaluar ato një punonjësi tjetër, burrë.

Kika – Berisha pretendon se drejtori Ejupi përmes një vendimi ia ka marrë kredencialet të cilat i mban që nga 2007.

Hysa Matoshi pretedendon se përmes një vendimi, drejtori i ka ‘minuar’ përgjegjësitë e saj në vendin e punës.

Besnike Ukmata ishte larguar nga puna përmes një vendimi të drejtorit Bujar Ejupi, KMSHCK kishte vendosur që ajo të kthehet në punë.

Ukmata pas kthimit në punë po pretendon se është përballur me dhunë psikologjike dhe nënçmim.

Kurse, Albulena Gërxhaliu pretendon se nuk e merrë pagën e inspektores përkundër që ajo i ka kredencialet, ndërsa Leonora Ibraj pretendon se nuk i janë lëshuar kredencialet edhe pse ajo ka përmbushur kriteret.

Për këto ankesa në Komision ishte thirrur edhe Bujar Ejupi, drejtor i AAC-së.

“Kanë qarkullu shumë informacione të pasakta. Raporti i Avokatit të Popullit në vitin 2021, avokati ka dërgu një shkresë ku ka kërku prej neve me iu përgjigjë pretendimeve nga një grup për diskrimim. Ne kemi kërku të dijmë se për çfarë shkelje po flitet. Pse nuk po promovohen njerëz në pozita të caktume?- kjo ka ardh te na. Ne jemi në zbatim të rregulloreve, vetëm i zbatojmë, kemi pasë ankesa për promovim, ne s`kemi pasë dy vitet e fundit promovime. Nuk ka pasë asnjë buxhet. Ka pasë kërkesa për me u avancu në detyrë, ankesa për promovim janë shumë të mëdha. Gjysa e stafit kanë kërku promovim. Nuk kemi pozita të reja për me e hapë procesin e promovimit dhe s`kemi buxhet të ri. Ka qenë i befasishëm raporti i Avokatit të Popullit. Janë raste që nëse Avokati i Popullit kish kërku informacione raporti s`kishte dalë i tillë”- kishte deklaruar ai.

Jeton Koca nga Këshilli i Pavarur në të njëjtën mbledhje kishte deklaruar se ende pa përfunduar viti kanë pranuar rreth 16 ankesa nga Autoriteti i Aviacionit Civil, një institucion me 28 puntorë.