Foto: Facebook, Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil

Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil reagon ndaj ndëshkimit të punëtorëve nga drejtori i përgjithshëm

Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil përmes një komunikate ka deklaruar se drejtori i përgjithshëm, Bujar Ejupi, po vazhdon të ndëshkojë punëtorë të këtij institucioni.

Në komunikatë theksohet se drejtori ka thirrur komision disiplonor ndaj një punëtori të këtij institucioni.

“Në vazhdën e ndëshkimeve, Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së ka iniciuar ndëshkimin e radhës duke thirrur komision disiplinor ndaj anëtarit tonë, drejtor departamenti i cili punon në këtë institucion që nga viti 2002”, thuhet në komunikatë.

Sipas Sindikatës, ky është inicimi i katërt brenda një muaji.

“Pas tri ndëshkimeve, ky është inicimi i katërt brenda një muaji për ndëshkim nga z. Ejupi për këtë anëtar të sindikatës. Besojmë se Drejtori Ejupi, me mënyrën e menaxhimit mban primatin në shërbimin civil të Kosovës me numrin e ndëshkimeve në krahasim me numrin e punëtorëve”, thekson tutje Sindikata.

Nga Sindikata e punëtorëve bëhet e ditur se drejtori pretendon në shkelje të kryera nga ky anëtar.

“Drejtori i Përgjithshëm z. Ejupi, pretendon se anëtari ynë ka kryer shkelje, sepse ka kërkuar që veprimet e Drejtorit të Përgjithshëm, të cilat ky i fundit i ka kryer përkundër rekomandimit të Departamentit, t’i raportojë si aktivitete të realizuara nga Departamenti të cilin e udhëheq anëtari ynë”, thuhet në komunikatë.

Por, Sindikata deklaron se këto ndëshkime të pabaza vijnë pasi anëtari i tyre nuk ka pranuar të dorëzohet ndaj presioneve të drejtorit Ejupi.

“Por, ne besojmë që këto ndëshkime të pabazuara për anëtarin tonë vijnë për shkak se ai nuk ka pranuar që të dorëzohet ndaj presioneve të z. Ejupit i cili është munduar t’i legjitimojë disa operime të miratuara nga z. Ejupi në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, duke i tejkaluar kompetencat e tij si dhe duke e rrezikuar sigurinë e aviacionit”, thuhet tutje në reagim.

“Për më tepër, një nga shkeljet tjera të pretenduara të anëtarit ndërlidhet drejtpërdrejtë me aktivitetin e tij në Sindikatë, me ndarjen e një reagimi publik të SPAAC në faqen personale të tij në Facebook! Përveç që kjo është për keqardhje, përbën edhe cenim të të drejtave të z. Islami për anëtarësim në sindikatë dhe aktivitet sindikal dhe bie ndesh me Nenin 4 të Ligjit Nr. 04/L-011 për Organizim Sindikal”, thuhet në komunikatën e Sindikatës.

Sindikata e Punëtorëve të Aviacionit Civil u ka bërë thirrje institucioneve që të trajtojnë me urgjencë gjendjen në këtë institucion.

“Edhe një herë u bëjmë thirrje publike institucioneve relevante: Ministrit, Qeverisë, Kuvendit dhe Bordit Mbikëqyrës të AAC-së si institucione përgjegjëse që ta trajtojnë me urgjencë gjendjen e rënduar në AAC duke e kthyer ligjshmërinë në këtë institucion.Në përgjigje të këtyre ndëshkimeve të vazhdueshme, SPAAC detyrohet t’i ashpërsoj masat sindikale në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në komunikatë.

Një komunikatë me shqetësimin e njëjtë Sindikata e publikoi edhe në muajin mars, ku reaguan ndaj vërejtjeve të drejtorit të përgjithshëm për punëtorët e këtij institucioni.

Derisa më 15 prill, Sindikata përmes një komunikate deklaroi se statistikat për gjendjen e shërbyesëve civilë në AAC janë alarmante.

“Shërbimi civil ka rreth 22,000 të punësuar, ndërsa AAC këtë vit ka pasur vetëm 29 të punësuar. Megjithatë, sipas statistikave, AAC-ja këtë vit kishte 2.47% të ankesave totale të pranuara nga institucionet qendrore, duke u renditur në vendin e 11-të mes institucioneve qendrore në vend. Edhe pse stafi i AAC-së përbën 0.13% të shërbyesve civil, ne përbëjmë 2.47% të ankesave në KPMSHCK”, thuhej në komunikatë.

Sipas tyre, këta numra tregojnë mënyrën skandaloze të trajtimit të stafit, falë lidhjeve politike të drejtorit Bujar Ejupi.

“Këta numra tregojnë mënyrën skandaloze të trajtimit të stafit të AAC-së që nga marrja e detyrës, falë lidhjeve politike, të Drejtorit të Përgjithshëm aktual të AAC-së z. Bujar Ejupi”, deklaruan nga Sindikata.

“Nëse kësaj i shtojmë faktin që të gjitha rastet disiplinore kanë qenë nga anëtarët e Sindikatës, njëkohësisht shumicë e stafit teknik dhe me përgatitje të lartë profesionale në një fushë deficitare në Kosovë, dëshmohen qëllimet përndjekëse të atyre që refuzojnë tendencat e jashtëligjshme të z. Ejupi”.

Sipas tyre, AAC ka pasur 5 ankesa nga marrëdhënia e punës, 5 për masa disiplinore dhe 1 për ndërprerje të marrëdhënies të punës. Këto raste, sipas sindikates, përfshijnë vetëm rastet e dokumentuara dhe ankimuara në KPMSHCK.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një deklarim nga ana e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil, Bujar Ejupi, lidhur me pretendimet dhe akuzat e Sindikatës së punëtorëve, por nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e publikimit të artikullit.

Sindikata e punëtorëve të Aviacionit Civil reagon ndaj vërejtjeve të drejtorit të përgjithshëm