Ilustrim
Kuvendi nuk e miraton raportin e Autoritetit të Aviacionit Civil, Sindikata e Punëtorëve e mirëpret vendimin
Kuvendi i Kosovës më 57 vota kundër dhe 4 abstenime nuk e ka miratuar sot raportin vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për vitin 2021.
Ky raport ka qenë pjesë e diskutimeve në tri komisione parlamentare, ndërsa sot deputetët e kanë kundërshtuar miratimin e tij në seancë, për disa arsye.
Kryetari i Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Mujaj, ka thënë se arsyeja primare pse ky raport është refuzuar edhe në Komision është se nuk ka qenë në përputhje me Ligjin për menaxhimin e financave.
“Komisioni për Buxhet e ka trajtuar këtë raport për disa arsye. Vendimi ka qenë se ky raport nuk duhet të miratohet për disa arsye. Arsyeja primare është se raporti nuk ka qenë në përputhje me Ligjin për menaxhimin e financave. E dyta është shpjegimi që ne kemi kërkuar sa i përket borxheve për të cilat nuk kemi marrë përgjigje, dhe tjetra për shkak të tarifave”- ka thënë Mujaj.
Ndërsa, kryetarja e Komisionit për Drejta të Njeriut, Duda Balje, ka thënë se është kundër këtij raporti dhe konsideron që gjendja në AAC është problematike, duke përmendur një peticion që ka ardhur në këtë Komision nga disa gra që punojnë në këtë Agjenci.
“Edhe Komisioni për të Drejta të Njeriut ka pasur mbledhje për këtë raport. Ne kemi pasur peticion prej pesë grave që punojnë aty për shkak të dhunës psiqike që e kanë nga ana e drejtorit. Avokati e ka refuzuar. Unë jam kundër sepse është një gjendje brenda e AAC-së shumë problematike”- ka thënë Balje.
Këtë vendim të Kuvendit e ka mirëpritur Sindikata e Punëtorëve të AAC-së, duke thënë se ky është raporti i dytë me radhë që nuk miratohet nga Kuvendi.
Ata kanë thënë se në këtë raport vjetor janë fshehur të gjitha shkeljet profesionale dhe përndjekjen e vazhdueshme të stafit, nga ana e drejtorit Bujar Ejupi.
“SPAAC falënderon deputetët e Kuvendit të Kosovës për angazhimin dhe mirëkuptimin e tyre që të kuptojnë më për së afërmi veprimet e dëmshme të Drejtorit Ejupi të cilat i kanë sjell dëm të pariparueshëm sektorit të aviacionit civil të Kosovës”- kanë thënë nga Sindikata.
Në reagim SPAAC kanë përmendur edhe shqetësimin për trajtimin e grave profesioniste në këtë institucion që, sipas Sindikatës, janë përjashtuar nga puna e ndëshkuar pa bazë.
Sindikata ka bërë thirrje për shkarkimin e Ejupit.
“SPAAC i bën thirrje Ministrit Liburn Aliu dhe Qeverisë për të iniciuar procedurën për shkarkim të z. Bujar Ejupi për ta kthyer stabilitetin në sektorin e aviacionit civil në Republikën e Kosovës”- thuhet në reagim.
Në fillim të muajit nëntor KALLXO.com ka raportuar për ankesën e pesë punëtoreve të AAC-së. Lindita Kika- Berisha, Hysa Matoshi, Besnike Ukmata, Albulena Gërxhaliu dhe Leonora Ibraj, punonjëse në Autoritetin e Aviacionit Civil, kanë shprehur shqetësimin e tyre përmes një letre ndaj drejtorit, Bujar Ejupi, për ‘shkelje të ndryshme dhe diskriminim’.
Lindita Kika – Berisha po pretendon se drejtori ia ka marrë përgjegjësitë profesionale të sigurisë pas 17 vjete përvojë pune dhe ia ka kaluar ato një punonjësi tjetër, burrë.