Avokati i hetuesit policor të arrestuar për marrje ryshfeti: Klienti im e ka pranuar fajësinë

Bekim Hyseni, hetues policor në stacionin e Obiliqit, është arrestuar nën dyshimin për marrje ryshfeti e keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në bazë të dosjes së gjykatës të cilën e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se i dyshuari, hetuesi policor Bekim Hyseni ka pranuar veprën penale të cilën e ka kryer.

Kështu të paktën ka thënë edhe avokati i tij në seancën e cila u zhvillua pas kërkesë së prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë.

Avokati, Ylli Zekaj gjatë seancës ka kundërshtuar pikat për caktimin e masës së paraburgimit duke thënë se klienti i tij, polici Bekim Hyseni e ka pranuar veprën penale e gjithashtu ndjen keqardhje për atë që ka ndodhur.

Por kanë kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për paraburgim.

“E kundërshtojmë kërkesën e prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit duke konstatuar se nuk janë përmbushur kushtet apo tri pikat që duhet të përmbushen. Në diskutim me klientin tim, i njëjti e pranon fajësinë për këtë vepër penale”- thuhet në një pjesë të deklaratës së avokatit Zekaj deri sa shton gjithashtu se kushtet e tjera ajo e ikjes e asgjësimit të provave nuk ekzistojnë përderisa provat i kanë edhe organet e rendit dhe ato të hetuesisë.

Këto prova materiale, paratë, por edhe prova të tjera duke përfshirë dëshminë e hetuesit policor tashmë janë pjesë e dosjes hetimore të cilën janë duke trajtuar organet e drejtësisë.

Në arsyetimin e gjykatës për masën e sigurisë atë të paraburgimit, masë kjo e cila është ndërmarrë sot më 10.02.2024, thuhet se janë vlerësuar dhe plotësuar kushtet që hetuesi policor të dërgohet në paraburgim për 30 ditë.

Në këtë arsyetim jepen edhe detaje të rastit në të cilin dyshohet se është përfshirë hetuesi policor Bekim Hyseni.

Sipas arsyetimit, hetuesi policor në cilësinë e personit zyrtar në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe ka pranuar para për vete apo për personin tjetër në mënyrë që të veproj në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

Kjo shpjegohet pasi hetuesi policor Bekim Hyseni pretendohet sipas dosjes se i kishte kërkuar para një personi nën arsyetimin se do t’i ndihmoj të njëjtit për t’i mbyllur disa raste në Policinë e Kosovës.

Nga personi tjetër, hetuesi policor dyshohet se ka pranuar 1 mijë euro.

Gjykata ka vendosur që të dërgoj në paraburgim hetuesin policor të stacionit policor në Obiliq, edhe nën arsyetimin se për shkak të liberalizimit të vizave i njëjti do të ketë më të lehtë arratisjen duke marrë parasysh peshën e veprës penale si dhe sanskionin e paraparë për këtë vepër penale.

Në seancën në të cilën u mor vendimi për caktimin e masës së paraburgimit, ishte i pranishëm edhe prokurori i Krimeve të Rënda, Zef Prendrecaj ndërsa gjyqtari i procedurës paraprake ishte Gazmend Bahtiri.

KALLXO.com ka raportuar më 08.02.2024 por edhe me 23.01.2024 për dy raste.

Ai i datës 08.02.2024 është për arrestimin nën dyshimin për marrje ryshfeti e keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa rasti i 23.01.2024 ka të bëjë me të njëjtin polic, i cili ishte arrestuar dhe suspenduar nën dyshimin se ka shkaktuar një aksident trafiku.

Ai dyshohet se deri sa ishte jashtë detyrës zyrtare, kishte goditur me veturë një të mitur dhe i kishte shkaktuar edhe lëndime trupore.

Gjykata vendos për hetuesin policor në Obiliq që dyshohet se mori 1 mijë euro ryshfet

Detaje nga arrestimi i hetuesit policor në Obiliq