Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Avdullah Hoti: Jam duke e menduar kandidaturën për kryetar të LDK-së

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti deklaroi se është duke e menduar mundësinë që të garojë për të parin e LDK-së.

“Jam duke u mendu, nuk kam vendos të garoj ende, por nuk kam vendos as të mos garojë, jam duke e mendu…Nuk e kam vendos ende, sepse nuk mund ta vendosi pa u kry zgjedhjet në degë, e mandej të caktohet Kuvendi” – tha Hoti për T7.

I pyetur nëse e mbështet Lumir Abdixhikun për kryetar të partisë, ai tha se është ende herët për këtë çështje.

“Nuk jemi ende në atë pikë, ndoshta 40% të zgjedhjeve janë kry, kjo është çështje e brendshme nuk është momenti tash. Jemi ende në proces dhe tek kur kryhen kuvendet e degëve, mblidhet kuvendi dhe atëherë diskutohen kandidaturat për kryetar të partisë”- u shpreh Hoti.

Në vitin 2020, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti 1, Hoti ka mbajtur pozitën e kryeministrit për disa muaj.

Ndërsa në zgjedhjet e kaluara parlamentare Avdullah Hoti ka qenë kandidat për kryeministër, në kohën kur kryetar i LDK-së ishte Isa Mustafa.

Pas dorëheqjes së Mustafës nga kjo pozitë, Lidhja Demokratike e Kosovës në mars të vitit 2021 zgjodhi Lumir Abdixhikun për kryetar të ri të kësaj partie.

Abdixhiku, kishte përballë edhe dy kandidatë tjerë për kryetar të LDK-së, nënkryetarin, Lutfi Haziri dhe anëtarin e kryesisë, Besian Mustafën.

Mbajtja e këtij kuvendi të LDK-së, erdhi pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, ku kjo parti regjistroi rezultat të dobët, me 12 për qind të votave, që çoi në njoftimin e Mustafës për tërheqjen nga udhëheqja e partisë.

Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së në qershor të 2023 -tës ka miratuar vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta të brendshme të Lidhjes Demokratike.