Foto: Policia e Kosovës

U konfiskuan 36 mijë kilogramë mish me afat të skaduar në depon e “Elkosit”, këta të fundit deklarohen për rastin

36 mijë e 180 kilogramë mish me afat të skaduar janë konfiskuar mbrëmë në depon e “Elkos Group” në Zahaq të Pejës.

Policia e Kosovës mbrëmë ka njoftuar se për këtë rast janë arrestuar menaxheri kryesor i “Elkos Group” A.H., dhe zëvendësmenaxheri i depos A.A.

Policia ka thënë se në mesin e produkteve të mishit me afat të skaduar është gjetur mish i gjedhit, i peshkut, i pulës me origjinë të prejardhjes nga Brazili, Italia dhe Polonia.

Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com ka kontaktuar edhe përfaqësues të “Elkos Group” të cilët kanë thënë se sqarimin për konfiskimin e mishit e kanë bërë në rrjetin social Facebook.

Sipas “Elkos Group” ishte bërë ndarja e sasisë së mishit i cili kishte qenë me afat të skaduar.

“Produktet janë me afat të skaduar dhe nuk janë për shpërndarje, janë vendosur edhe mbishkrime nga përgjegjësi i depos”, thuhet në arysetimin e “Elkos Group”.

Tutje kjo kompani ka thënë se menaxhmeti ka qenë në përgatitje të kërkesës për asgjësim të mallit në ATK dhe AUV, e që theksojnë se në këtë drejtim ka pasur lëshime.

“Menaxhmenti, falënderon Inspeksionin dhe Policinë e Kosovës për kontroll dhe kontributin që këta artikuj të asgjësohen më shpejt dhe me mbikëqyrje sipas ligjit. Sikur çdo herë tjetër edhe tani e edhe çdo herë ‘Elkos Group’ inkurajon organet përgjegjëse, inspektoratin dhe të tjera në kryerjen e detyrës, në shërbim të cilësisë dhe produktit”, thuhet në deklarimin e “Elkos Group” në Facebook.

Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka njoftuar edhe se dy të arrestuarit janë intervistuar dhe se me urdhër të prokurorit kujdestar i dyshuari A.H. është ndaluar për 48 orë ndërsa i dyshuari A.A. është lëshuar në procedurë të rregullt.

Policia ka treguar se ngjarja është realizuar nga hetuesit policorë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Pejë së bashku me inspektorë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Inspektorin Sanitar dhe zyrtarë të ATK-së.

Policia konfiskon në Pejë 36 mijë kilogramë mish me afat të skaduar