Arsyetimi i ZRrE-së për caktimin e tarifave nxitëse (VIDEO)

Një hulumtim i gjatë i emisionit ‘Jeta në Kosovë’ zbardh skemën mbi të cilën kompani në pronësi të Blerim Devollit të regjistruara në shtetin e Maltës do përfitojnë nga tarifat nxitëse për prodhimin e energjisë nga dielli.

“Jeta në Kosovë” ka gjetur se Blerim Devolli, përmes gjashtë bizneseve, do të përfitojë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavatëve nga 30 megavat sa është totali i kapaciteteve të energjisë solare të përkrahura nga shteti.

Dy kompani të Blerim Devollit, “Frigo Food Kosova” dhe “Birra Peja” kanë përfituar tarifa nxitëse prej 136.4 euro për megavat nga vendimi i bordit të ZRrE-së i datës 19 maj 2016.

Kurse, me katër biznese të tjera ka përfituar nga vendimi i datës 27 nëntor 2019: “Building Construction Kosove L.L.C”, “Alsi & Co Kosovë”, “Energy Development Group” dhe kompania e katërt është “Devolli Group” të cilës i është ndrru emri në “Abrazen”.

Zyra e Rregullatorit për Energji ka thënë për “Jeta në Kosovë” se ka marrë në konsideratë komentet e pranuara nga palët e interesit përfshirë edhe Ambasadat e interesuara në këtë proces.

“Është vlerësim i  ZRrE-së se ekziston një nevojë që të shqyrtohet kthimi drejt skemave mbështetëse të bazuara në treg përmes procedurave konkurruese  (ankandeve) . Ky trend është përshpejtuar nga rregullat e BE-së për ndihmën shtetërore që udhëzojnë një futje graduale të proceseve të ofertave konkurruese dhe parashikojnë një zëvendësim gradual të tarifës nxitëse. Aktualisht, tarifa nxitëse është e vetmja skemë mbështetëse në Kosovë që përdorë stimujt financiar për të arritur caqet për BRE”, thuhet në përgjigje.

ZRrE është arsyetuar se ankandet, në përgjithësi nuk organizohen për centralet e vogla të energjisë elektrike për shkak të kostove të larta të përgatitjes së dokumentacionit për ofertim.

“Për këta prodhues, rekomandohet qasja administrative në përcaktimin e tarifës për të cilën Bordi i ZRrE-së ka vendosur në përputhje me udhëzimin Administrativ të Lëshuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik në vitin 2017”, vazhdon përgjigja.

“Në mënyrë që të vazhdohet tutje me një skemë të re mbështetëse për BRE-të bazuar në kushtet konkurruese, Qeveria e Kosovës përkatësisht ministria përkatëse duhet të analizojnë të gjitha aspektet relevante në mënyrë që të përcaktojnë një rrugë të përshtatshme për të vazhduar tutje në një transformim gradual drejt mekanizmave mbështetës të tregut. Për zgjedhjen e mekanizmit mbështetëse të përshtatshëm dhe elementëve të tij, Qeveria duhet të rishikojnë dhe eventualisht të përshtatin kornizën ligjore që është kërkuar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë që nga viti 2018”, përfundon përgjigja.