Arrijnë mbi 100 mijë doza të vaksinës Pfizer në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se sot kanë arritur 100 mijë e 620 vaksina ‘Pfizer’ përmes aleancës COVAX.

“Sot kanë arritur 100, 620 vaksina Pfizer falë Aleancës Gavi të COVAX. Që nga arritja e 24, 000 dozave të para të vaksinës, të cilat u pasuan nga 38, 400 doza që morëm dy javë më parë, dhe 15, 000 doza, që janë dorëzuar deri më tani nga Mekanizmi i Bashkimit Evropian për Ballkani Perëndimor, ekipet e vaksinimit në të gjithë vendin kanë vaksinuar grupet prioritare dhe qytetarët me sëmundje kronike siç përcaktohet në Planin shtetëror të Vaksinimit”, thuhet në njoftim.

“100.620 vaksinat e siguruara përmes COVAX janë një hap i rëndësishëm për të ndjekur planin e vaksinimit me ritme të shpejta dhe pandërprerë, sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Dy javë më parë, Kosova po ashtu ka pranuar 38.400 doza të vaksinës nga COVAX-i si dhe 15.000 doza të tjera, donacion nga Bashkimi Evropian.