Arrestohet një polic, dyshohet se mori ryshfet 1 mijë euro

Një zyrtar policor në Gjakovë është arrestuar nën dyshimin se pranoi ryshfet por edhe keqpërdori detyrën e tij zyrtare. 

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar më 24.02.2024 se arrestimi i policit është bërë një ditë më parë. 

Sipas njoftimit, dyshohet se zyrtari policor ka pranuar 1 mijë euro për të plotësuar dy vendime për kundërvajtje (fiktive), njëra me vlerë prej 500 euro, me 3 pikë negative dhe masë mbrojtëse prej 1 viti dhe tjetra në vlerë prej 200 euro duke përdorur të dhënat e pa sakta të qytetarëve,

Nga hetuesit e IPK-së është arrestuar në Gjakovë zyrtari policor (zyrtar i Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor – Drejtoria Rajonale e Policisë Gjakovë) kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Në kuadër të këtij hetimi, me udhëzim të Prokurorisë së Gjakovës, IPK-ja ka iniciuar procedurë penale edhe ndaj një ndaj qytetarit me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën  penale “Dhënia e ryshfetit” (duke i ofruar zyrtarit policor 1 mijë Euro) dhe “Deklarim i  rremë” .

Hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.