Foto: Ilustrim

Arrestohet një person në Prizren, në podrumin e lokalit të tij organizonte bixhoz

Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar një person në Prizren nën dyshimin për “Organizim të skemave piramidale” dhe “Bixhoz të paligjshëm”.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari është arrestuar pasi në podrumin e lokalit të tij janë hasur duke luajtur bixhoz 12 të dyshuar.

Nga njësitë përkatëse policore janë gjetur dhe sekuestruar 1 aparat “kajot”, letra për lojë, çipa për bixhoz dhe fletore për shënime, thuhet në raportin policor.

Lidhur me rastin, Policia bën të ditur se është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Rasti i cili ka ndodhur dje rreth orës 01:00, vazhdon të hetohet.

Nga viti 2019, në Kosovë me ligj është e ndaluar veprimtaria e lojërave të fatit.

Ligji për ndalimin e lojërave të fatit në Kosovë, që ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vjet, ka hyrë në fuqi në muajin maj të 2019-s.