Ilustrim.

Arrestohet ish-polici Goran Saviq, dyshohet për sulm fizik ndaj dy qytetarëve serbë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se Policia e Kosovës e ka arrestuar ish-policin Goran Saviq (Goran Savic), i cili dyshohet për sulm fizik ndaj dy qytetarëve serbë.

“Në koordinim me organet e drejtësisë dhe në zbatim të urdhëresave të tyre, Policia sot ka arrestuar në Leposaviq ish-zyrtarin policor Goran Saviq, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë vitit 2021. I njëjti, dyshohet të ketë sulmuar fizikisht edhe dy qytetarë serb”- ka shkruar ai në Facebook.

Ministri Sevçla ka thënë se arrestimi i ish-policit vjen pas një aksioni tjetër të zhvilluar po sot nga Policia në një lokacion në Komunën e Zubin Potokut, me ç’ rast ka identifikuar dhe sekuestruar 20 pajisje të prodhimit të kriptovalutave.

Gjithashtu Sveçla ka bërë të ditur se Policia e Kosovës i është bashkuar kampanjës së EUROPOL “TheNetThatWorks”, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Bashkëpunimit Policor.

“Kjo nismë pjesë e së cilës është edhe Policia e Kosovës, synon promovimin e bashkëpunimit me qëllim të trajtimit të kërcënimeve kundër sigurisë, luftën kundër krimit të organizuar, atij kibernetik dhe terrorizmit”- ka shkruar ndër të tjerash ministri Sveçla.

Ai ka vlerësuar angazhimin e pjesëtarëve të Policisë për punën e tyre profesionale për garantimin e sigurisë në vend.