Arrestohet edhe një i dyshuar për sulmin ndaj ekipit të Nacionales në Prizren

Policia e Kosovës e ka arrestuar edhe një të dyshuar tjetër lidhur me sulmin ndaj ekipit të gazetarëve të gazetës “Nacionale” javën e kaluar në Prizren, gjatë protestës së thirrur kundër festivalit “DokuFest”.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com, Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prizrenit.

“Dje me datë 15.08.2023, pas një pune hetimore, policia ka arrit që të identifikojë dhe arrestojë edhe një të dyshuar lidhur me rastin e sulmit ndaj gazetarit”-ka thënë Bytyqi.

Bytyqi ka deklaruar se i dyshuari pas intervistimit në prani tē avokatit mbrojtës, me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë.

Më 11 gusht, një person është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar ekipin e portalit “Gazeta Nacionale” gjatë protestës kudër festivalit të filmit të shkurtë “DokuFest”.

Rasti ka ndodhur në sheshin “Shatërvan”, afër xhamisë “Sinan Pasha”.

Protesta e thirrur në Prizren u organizua kundër festivalit me thirrje “kundër degjenerimit”, pas performancës së mbajtur në përkrahje të komunitetit transgjinor.

Gjatë protestës u sulmua edhe një ekip i gazetarëve i “Gazetës Nacionale”.

Të arrestuarit të parë  i është caktuar masa e paraburgimit.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësim në lidhje me fushatën linçuese kundër portalit online “Nacionale” dhe gazetarëve të saj.

Sipas AGK-së, në qytetin e Prizrenit është vendosur një pankartë në të cilën shihen fotografi të gazetarëve të këtij portali, ku mes tjerash përmban mbishkrimin “Bojkoto Nacionale”.

“Në një pankartë të vendosur në qytetin e Prizrenit, ku shihen fotografitë e gazetarëve, Vullnet Krasniqi e Berat Buzhala, thuhet “Drejtësi për popullin, dënim për përqarësit. Bojkoto Nacionale. Liria e shprehjes merr fund tek ofendimi”- thuhet në reagim.