Aktivisti i PSD-së, Adem Megjuani - Foto: Facebook

Arrestohet aktivisti i PSD-së, Adem Megjuani

Sekretari organizativ i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi ka njoftuar se është arrestuar aktivisti i kësaj partie, Adem Megjuani.

Sipas Nushit, Megjuani është arrestuar lidhur me incidentin që ndodhi në protestën kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike të shtunën e kaluar.

Përmes një publikimi në Facebook, ai ka kërkuar që të lirohet aktivisti Megjuani.

“Në orën 9:00, aktivisti Adem Megjuani i është përgjigjur thirrjes së policisë për intervistim lidhur me incidentin që ndodhi në protestën kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike. Të njëjtit prokurori i rastit i ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orëve. Kjo masë nuk i përmbush asnjërën prej kushteve të parapara me Kodin e Procedurës Penale për shqiptimin e saj”, ka shkruar ai në Facebook.

“Mënyra se si ka vepruar prokurori i rastit përbën abuzim të pushtetit të tij e shkelje të të drejtave të aktvistit tonë. Joproporcionaliteti i veprimeve të prokurorisë është proporcional vetëm me nevojën e pushtetit për të disiplinuar veprimet opozitare të PSD-së”, ka shtuar ai.

Për arrestimin e Megjunit, Nushi ka fajësuar partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

“Partisë-shtet i ka penguar pjesëmarrja masive e njerëzve në protestë. Menjëherë nisën me gjueti shtrigash. Sot kanë vazhduar me arrestime. Propaganda policore që kishte për qëllim ta kriminalizoj një protestë paqësore, po përkthehet me përndjekje. Të lirohet menjëherë aktivisti Adem Megjuani!”, thuhet në publikimin e tij.

Lirimin e aktivistit të PSD e ka kërkuar edhe kryetari i partisë, Dardan Molliqaj.

PSD-ja të shtunën organizoi protestë në Prishtinë, kundër shtrenjtimit të rrymës.