Ilustrim

Arrestohen zyrtarët në Shqipëri, merrnin para për testin COVID-19

Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) urdhëroi arrestimin e një dyzine zyrtarësh të Institutit të Higjenës dhe të Inspektoratit  Shëndetësor për mitëmarrje masive për qëllime të ndryshme, nga certifikatat e higjenës te ndërmjetësimi përmes korrupsionit për të kryer testin e koronavirusit të ri.

Një numër qytetarësh duket se janë aq në ankth nga koronavirusi i ri sa i luten autoriteteve që të bëjnë testin për të identifikuar virusin e rrezikshëm ndërsa këto të fundit thonë se testi u rezervohet vetëm personave të dyshuar në bazë të vendimeve të specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik. Por disa qytetarë duket se kanë qenë aq të dëshpëruar sa kanë ndërhyrë përmes metodave korruptive për të siguruar testin.

Policia e Shtetit njoftoi të premten se një operacion hetimor i drejtuar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), i kryer përgjatë katër muajve të fundit, përfundoi me arrestimin e 14 personave zyrtarë të Institutit të Shëndetit Publik, të Inspektoratit Shëndetësor Shëndetësor dhe mjekë në poliklinikën e Tiranës, të cilët rezultuan se kanë marrë ryshfet për qëllime të ndryshme më shumë se një herë.

Një nga arsyet e marrjes së ryshfetit ishte edhe kryerja e analizës së COVID-19. Sipas policisë, hetimet zbuluan raste të “ndërmjetësimit me qytetarë të ndryshëm për të bërë tamponin për COVID-19, kundrejt shumave monetare nga 5.000 deri 10.000 lekë të reja.”

Shqipëria është përfshirë që nga fillimi i pandemisë nga debati nëse vendi po kryen apo jo numrin e nevojshëm të analizave për identifikimin e rasteve me koronkavirus në mënyrë që personat e prekur nga sëmundja të mund të vetëizolohen për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të virusit. Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se Shqipëria ka realizuar maksimalisht më pak se 600 testime në ditë pavarësisht se gjatë ditëve të fundit ka pasur ditë edhe me 100 raste të reja.

Autoritetet këmbëngulin se numri i testimeve është i mjaftueshëm ndërkohë që familjarë të rasteve të konfirmuara me COVID thonë se i është kërkuar të vetëkarantinohen por pa iu kryer testi për të parë nëse janë apo jo të infektuar.

Ndërmjetësimi për testet e COVID nuk ishte arsyeja e vetme e marrjes së ryshfeteve nga zyrtarët e arrestuar. Sipas policisë, nga 5.000 deri 10.000 lekë të reja merreshin në këmbim të mosndëshkimit me masë administrative të subjekteve të cilët ishin konstatuar me shkelje të kushteve higjieno-sanitare apo 2 mijë lekë u merreshin qytetarëve për lëshim librezash shëndetësore pa kryer vizitë mjekësore.