Ilustrim

VIDEO- Lulëzon falsifikimi, Kosova ende pa databazë për verifikim të testeve të COVID-19

Kosova u përball me një seri kritikash pasi qindra qytetarë të Kosovës udhëtuan gjatë verës për në Zvicër e Gjermani me teste të falsifikuara.

Gjatë verës vendi pati një shpërndarje të madhe të virusit COVID-19.

Në vend ekzistonte një skemë ku qytetarët furnizoheshin me teste të falsifikuara PCR, të cilat bliheshin në laboratorë por edhe në qendra të falsifikimit.

Në muajin prill dhe maj “Kallxo Përnime” kishte raportuar për skemën dhe problemet mirëpo institucionet kishin heshtur.

Veprimet nisën vetëm pasi mediat në Zvicër nisën të raportonin se kosovarët po vinin me teste të falsifikuara.

Të dhënat tregojnë që mbi 20 njerëz u burgosën dhe u ndoqën penalisht pasi u arrestuan në vepër tek falsifikonin testet.

Që nga korriku i vitit 2020 ekskluzivitetin për kryerjen e testeve të COVID-19 e kishin vetëm laboratorët private ndërsa Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka ndërtuar një sistem elektronik të regjistrimit të rasteve që testohen.

Në këtë formë Ministria e ka besuar sigurinë e testeve vetëm tek privatët.

“Aspekti i sigurisë në punë brenda laboratorit të udhëtarëve, sepse laboratori ynë është ekskluzivisht për udhëtarët ka qenë brengë dhe sfidë e jona prej fillimit të dizajnimit të këtij laboratori. Ky laborator është filluar, planifikuar dhe ndërtuar me asistencën e Institutit Rober Koch këtë sferë e ka pasur në veçanti në fokus. Softueri i cili është i ndërtuar te ne për përcjelljen dhe regjistrimin e pacientëve e mundëson një siguri të lartë si për testet PCR si për teste antigjen, të dhënave mjekësore e po ashtu edhe të analizës deri në hapin e fundit”, është shprehur menaxheri i laboratorit “Eurolab”, Afrim Ajeti.

Dëshmitë se në vend ka pasur tendencë për falsifikim pranohen edhe nga ata që punojnë në laboratorë.

Sipas tyre dhjetëra pacientë janë paraqitur me kërkesa që të marrin teste të falsifikuara.

“Disiplina dhe kriteret e punës brenda laboratorit janë ndër më të lartat. E kemi trajtuar në vazhdimësi. Çdo kërkesë, çdo bisedë që t’i iket rrugës së rregullt të marrjes së të dhënave ashtu siç përshkruhet në formularin e IKShPK-së nuk ka ecur. Është dukuri shumë e keqe prej personave të papërgjegjshëm, për të cilat kemi informacione edhe ne i japin shëmbëlltyrë të keqe laboratorëve privatë në përgjithësi”, ka shtuar më tej Ajeti.

Ndërsa Merita Qyqalla-Raci nga laboratori privat “Avicena” ka thënë se deri më tash nuk kanë pasur ndonjë kërkesë për falsifikim të testit COVID-19.

“Kërkesa për falsifikim në laboratorin tonë nuk ka ku pacientët janë të njoftuar me cilësinë që ofron laboratori ynë. Ndodh shpesh që në momentet e fundit shtetet ndërrojnë rregulloret për testimet PCR, qytetarët kërkojnë që testi të punohet sa më shpejt, mirëpo e kemi gjetur zgjidhjen ne si laborator”, ka deklaruar Qyqalla-Raci.

Edhe Qyqalla-Raci pohon se sistemi i regjistrimit të qytetarëve nuk ka ndryshuar që nga fillimi i pandemisë.

Ajo shton se tashmë pacientëve u kërkohet edhe informacioni mbi vaksinimin dhe llojin e vaksinës.

“Të dhënat e pacientit janë të njëjta, tash është shtuar vetëm kërkesa për vaksinim që duhet të dihet dhe lloji i vaksinës. Testet PCR kanë vlerë vetëm 72 orë dhe nuk është mundësia të krijohet një certifikatë testimi sepse pacienti më vonë mund të jetë person kontakti ose riinfektohet. S’mund ta japë rezultatin e saktë dhe nuk mund të aplikohet kjo”, ka përfunduar ajo.

KALLXO.com në disa raste kishte zbardhur skema të keqpërdorimit të testeve COVID-19 nga laboratorët e fotokopjet.

Inspektorati Shëndetësor që nga licencimi i privatëve ka mbyllur përkohësisht 50 laboratorë ndërsa në 15 raste laboratorët ishin mbyllur pasi kishin falsifikuar testet.

Prokuroria e Ferizajt ka ngritur dy aktakuza për falsifikim të testeve COVID-19, ndërsa ajo e Mitrovicës deri më tash ka ngritur tri aktakuza.

Prokuroritë e tjera tashmë janë në mbledhje të informacioneve edhe për disa raste të tjera të falsifikimit të testeve.