Shtohen dyshimet për mospërputhjet në testimet për COVID-19 në Maqedoninë e Veriut

Numri i ulët i rezultateve pozitive të testeve për COVID që vijnë nga një numër laboratorësh të rinj testimi po nxit dyshimin se disa prej tyre po printojnë rezultate negative sipas kërkesës.

Ata kanë mbirë si kërpudhat pas shiut, prandaj disa i quajnë “korona-përfitues”.

Numri i laboratorëve privatë në Maqedoninë e Veriut që kryejnë teste për COVID-19 është dyfishuar në vetëm dy vjet, që nga fillimi i pandemisë.

Pajisjet, ambientet dhe stafi i tyre nuk janë kontrolluar. Në sytë e shtetit, mesa duket, janë laboratorë të nivelit të lartë.

Megjithatë, numri i këtyre laboratorëve, sidomos nga shfaqja e variantit të fundit të Omicron, ka ngritur dyshime dhe pretendime se disa prej tyre mund të pritnojnë rezultate negative sipas kërkesës së klientëve të tyre, në vend të rezultateve të duhura.

Vetëm një rezultat pozitiv në rreth 870 testime

Më 31 dhjetor 2021, ndërsa shumica e njerëzve po nxitonin për të përfunduar përgatitjet për natën e Vitit të Ri, 425 banorë nga qyteti veriperëndimor i Tetovës, me sa duket, kishin prioritete të tjera.

Ata shkuan për të parë nëse ishin pozitivë për COVID-19 në laboratorin e vogël të diagnostikimit “Laor”, i cili u hap në qershor 2020.

Rezultatet mbërritën të njëjtën ditë dhe u publikuan të nesërmen në buletinin ditor të Institutit të Shëndetit Publik, i cili mbledh të dhënat e COVID dhe publikon buletinet ditore, javore dhe mujore.

Nga të 425 testimet e kryera, asnjë nuk rezultoi pozitiv.

Më 1 janar, laboratori e bëri pushim. Në ditën tjetër të testimit pasi u rihap, vetëm një nga 451 testime rezultoi pozitiv.

Kjo do të thotë se, nga një total prej 876 testimesh, vetëm një ka rezultuar pozitiv, ose 0.11 për qind.

Shifra kaq të ulëta të dyshimta janë shfaqur për një kohë të gjatë nga ky laborator – dhe gjithashtu në disa laboratorë të tjerë privatë.

Për shembull, më 31 dhjetor, laboratori mjekësor “VFV Medical” në Shkup kreu teste PCR në 199 persona. Asnjë rezultat nuk rezultoi pozitiv.

Kështu ishte edhe me “Royal Medica”. Nga 152 testime të kryera në këtë laborator gjatë dy ditëve, vetëm tre ishin pozitive.

Laboratori privat “Eli Medica” atë ditë raportoi 130 testime, nga të cilat vetëm pesë ishin pozitive. Është e paqartë nëse ky laborator është i lidhur me një tjetër në qytetin jugor të Gjevgjelisë, “Eli Medica Plus”, dhe nëse shifrat e raportuara mbulojnë rezultatet edhe nga ky laborator.

Laboratori “Eli Medica Plus” në Gjevgjeli ra në sy të publikut disa javë më parë, pasi Inspektorati Shëndetësor kërkoi heqjen e licencës pasi autoritetet bënë kontrolle pas raportimeve në media.

Këto raporte mediatike thanë se kazinotë në atë zonë mund të kenë përdorur shërbimet e tij për të lëshuar certifikata false COVID-19 për vizitorët grekë që ata t’i përdornin në kthimin e tyre në shtëpi.

Në regjistrin e laboratorëve të Institutit të Shëndetit është shënuar vetëm një “Eli Medica”, të cilit ai kërkon t’i hiqet licenca.

Ndërsa disa laboratorë të vegjël privatë duket se japin vetëm rezultate negative për COVID, kjo është shumë ndryshe në laboratorët publikë dhe më të mëdhenj privatë. Pothuajse gjysma e atyre që u testuan në disa prej atyre laboratorëve rezultuan pozitivë.

Në disa raste, përqindja e testeve pozitive ishte deri në 70 për qind.

Për shembull, më 3 janar, të njëjtën ditë kur laboratori privat “Laor” i Tetovës regjistroi vetëm një rast pozitiv, përqindja e rezultateve pozitive për testimet për COVID nga Qendra për Shëndet Publik, gjithashtu në Tetovë, ishte 35.7 për qind.

Në të njëjtën ditë, Qendra e Shëndetit Publik në Shkup regjistroi 48,7 për qind të testeve si pozitive.

Ndërkohë, laboratori privat “VFV Medical” në Shkup kishte raportuar vetëm 2.8 për qind të testimeve të tij si pozitive.

Ndryshimet mëdha ngrenë pyetje në lidhje me rezultatet

Bazuar në të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik, BIRN përllogariti mesataren totale të rasteve pozitive nga data 1 deri më 24 janar të raportuara nga laboratorë të ndryshëm.

Të dhënat zbulojnë dallime të mëdha dhe të vështira për t’u shpjeguar midis rezultateve nga laboratorët që kryejnë teste PCR.

Dallimet më të mëdha ishin të dukshme në dhjetëditëshin e parë të janarit, kur disa laboratorë më të vegjël si “Laor”, “VFV Medical”, “Eli Medica” dhe “Royal Medica”, raportuan përqindje jashtëzakonisht të ulëta të rezultateve pozitive.

Midis 0.63 për qind dhe 5 për qind e rezultateve të testimeve të kryera nga këta laboratorë ishin pozitive.

Në të njëjtën periudhë, laboratorët më të mëdhenj dhe më të vjetër të Shkupit, si Zan Mitrev, Avicena, Biotek dhe Sistina, në të njëjtën periudhë shënuan përqindje dyshifrore të rasteve pozitive.

Shifrat varionin midis 28 për qind të testimeve të kryera në klinikën Zan Mitrev deri në 34-35 për qind të testimeve të kryera në Biotek dhe Avicenna.

Sa i përket shifrave, Laor më 10 janar kishte vetëm katër rezultate pozitive nga 314 testime të kryera, ndërsa Zan Mitrev raportoi 99 rezultate pozitive nga 192 testime të kryera atë ditë. Avicena raportoi 134 rezultate pozitive nga 409 testime të kryera.

Disa laboratorë, të tillë si Fertility dhe Spectra MM, kishin mesatare edhe më të larta të rezultateve pozitive – përkatësisht 44 për qind dhe 56 për qind.

Ka pasur ditë kur disa laboratorë publikë që kryejnë testime për COVID-19 kanë zbuluar gjithashtu pak raste pozitive.

Laboratori shtetëror i Virologjisë dhe Diagnostifikimit Molekular regjistroi nën 5 për qind rezultate pozitive më 9 dhe 16 janar. Por ditët e tjera, ai regjistroi rezultate pozitive dyshifrore.

Gjetjet e BIRN përkojnë gjithashtu me shifrat e përgatitura nga e përjavshmja e Institutit të Shëndetit Publik.

Mikrobiologu Goran Kungulovski tha për BIRN se hendeku në numrin e rasteve pozitive midis laboratorëve të vegjël privatë dhe laboratorëve më të mëdhenj ishte i pakuptueshëm – një mospërputhje prej 10 deri në 40 herë.

“Aktualisht, nëse testoni rastësisht 100 njerëz, me siguri tre deri në pesë prej tyre do të jenë PCR pozitiv për SARS-CoV-2”, vuri në dukje ai.

Një arsye për këto dallime të mëdha mund të jetë përdorimi jo i saktë i tamponëve, gjë që tregon gabimisht një rezultat negativ.

Por përveç kësaj arsyeje, ka pretendime se ndryshimet mund të jenë rezultat i diçkaje tjetër – moskryerja fare e testeve reale dhe nxjerrja e një rezultati negativ nëse një klienti ka nevojë për një të tillë.

Punonjësit shëndetësorë të intervistuar nga BIRN në kushte anonimiteti thonë se shteti duket se po bën një sy qorr ndaj mospërputhjeve në rezultatet që vijnë nga disa laboratorë privatë.

Ata thanë se kontrollet mund të vërtetojnë nëse disa laboratorë privatë thjesht po printojnë rezultatet e dëshiruara.

Kontrolle të tilla duhet të llogarisin faturat hyrëse dhe dalëse për reagentët dhe testet e prokuruara.

Nëse laboratorët kanë rezerva më të mëdha në kohën e inspektimit nga sa pritej, kjo mund të tregojë një problem dhe se nuk janë kryer në të vërtetë testime.

Kjo mund të bëhet gjithashtu, thonë profesionistët, në një procedurë më të komplikuar, duke kontrolluar pajisjet PCR dhe kurbat e tyre të fluoreshencës për secilin pacient individualisht, dhe më pas duke krahasuar të dhënat nga pajisjet me rezultatet e nxjerra.

Tre teste PCR të kryera një minutë

Më 8 janar, laboratori “Laor” i Tetovës ka kryer gjithsej 932 testime. Faqja e tyre në Facebook thotë se ata punojnë nga ora 08:00 deri në 14:00, që do të thotë gjashtë orë në ditë.

Kur numri i testimeve pjesëtohet me kohën totale të punës, duket se laboratori ka kryer mesatarisht tre teste në minutë.

Në një postim në Facebook, “Laor” krenohet gjithashtu se rezultatet e testeve PCR të bëra në laboratorin e tyre janë gati për gjysmë ore.

Kungulovski, i cili vetë është i përfshirë në procedurat mikrobiologjike për zbulimin e COVID-19, pranon se shpejtësitë e testeve dhe shifrat janë relative; laboratorët hipotetikisht mund të kryejnë mijëra testime në ditë.

Por që kjo të ndodhë, siç thotë ai, duhet robotizim në çdo nivel dhe një organizim krejtësisht i ndryshëm i punës. “Asnjë laborator maqedonas nuk është ngritur aktualisht në këtë mënyrë”, tha ai për BIRN.

“Kufiri i sipërm i kapacitetit të laboratorëve më të mëdhenj (Zan Mitrev, Sistina, Avicena dhe Biotek) është rreth 400 deri në 600 teste në ditë. Gjithçka mbi këtë kërkon përpjekje mbinjerëzore dhe automatizim dhe robotizim shtesë”, paralajmëroi ai.

Procedura nuk është as e thjeshtë dhe as e shpejtë dhe përfshin disa faza, nga regjistrimi i pacientit deri te marrja e mostrave, përpunimi, nxjerrja automatike e ARN-së dhe më shumë.

Përgatitja e reagentëve PCR për maksimum 94 pacientë, që zakonisht bëhet për 50 dhe 70 mostra, zgjat gjysmë ore, sqaroi Kungulovski.

Shumica e laboratorëve heshtin për mospërputhjet

BIRN pyeti ata laboratorë, përqindjet e rezultateve pozitive të të cilëve janë shumë më të ulëta se ato të laboratorëve më të mëdhenj shtetërorë dhe privatë, se si i interpretojnë dallimet e mëdha.

Pothuajse të gjithë laboratorët, shifrat e të cilëve ishin shumë më poshtë se mesatarja, nuk u prononcuan der në kohën e publikimit. As “Laor”, “VFV Medical” dhe “Eli Medica” nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN.

U përgjigj vetëm “Royal Medica” në Gostivar. Ai tha se arsyeja pse mesatarja e rasteve të tyre pozitive ishte nën atë të laboratorëve të mëdhenj ishte sepse njerëzit që vinin tek ata për testim nuk ishin të sëmurë dhe ishin kryesisht njerëz që kishin nevojë të udhëtonin.

“Vetëm një përqindje e vogël e njerëzve vijnë tek ne janë me simptoma për t’u ekzaminuar për shëndetin e tyre personal – dhe vetëm kur nuk ka takime dhe teste të disponueshme në Institutin e Shëndetit Publik”, tha ai.

“Kjo është arsyeja e përqindjes së vogël të pacientëve pozitivë në laboratorin tonë”, shtoi ai.

Ky laborator i tha BIRN se gjashtë persona punojnë në një turn nga ora 08:00 deri në 16:00 dhe nëse ka kërkesë më të madhe, ata marrin staf nga një laborator tjetër që kanë gjithashtu në pronësi.

Fitimeve e laboratorëve rriten ndjeshëm

Pandemia ka qenë një mundësi e artë për përfitime nga laboratorët privatë. Shifrat tregojnë se të ardhurat e disa prej tyre u rritën nga disa qindra mijëra euro në vit, në miliona gjatë pandemisë.

Pak kërkesa për të hapur një laborator

Që një laborator molekular të fillojë punën, ligji parashikon që ai të ketë një dhomë pritjeje dhe një dhomë për marrjen e materialit prej të paktën 12 metra katrorë, një kabinet PCR, mikrocentrifuga, një peshore analitike dhe një inkubator të thatë. Të ketë të paktën dy punonjës, njëri prej të cilëve duhet të jetë nënspecialist.

Asnjë lloj regjimi inspektimi

Pas fillimit të pandemisë, deri në shtator 2020, në vend kishte vetëm disa laboratorë privatë për diagnostikimin molekular të COVID-19.

Në një vit nga ajo kohë, numri i tyre u dyfishua në 13. Deri në janar numri ishte 18 dhe thirrja e fundit që jepte edhe tri licenca të tjera u publikua në nëntor 2021.

Kushtet, ambientet dhe pajisjet në këto laboratorë nuk janë problem, tha drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror Sanitar Shëndetësor, Irina Buhova. “Të gjithë ata janë të pajisur mirë,” vuri në dukje ajo.

Megjithatë, inspektimet e tyre në këto laboratorë “nuk mbulojnë pjesën profesionale të mbikëqyrjes”, sqaroi Buhova, duke thënë se kjo pjesë i takon Ministrisë së Shëndetësisë.

“Mbikëqyrja e punës profesionale të institucioneve shëndetësore, punonjësve shëndetësorë dhe bashkëpunëtorëve është përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë dhe dhomave të profesionistëve mjekësorë, sipas nenit 296 të Ligjit për Kujdesin Shëndetësor”, theksoi ajo.

Pra, besueshmëria e rezultateve të testeve të tyre PCR është në kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Dhomës së Mjekësisë.

BIRN pyeti Ministrinë e Shëndetësisë nëse ministri kishte ngritur një komision për të shqyrtuar nëse institucionet shëndetësore dhe këta laboratorë të rinj po veprojnë profesionalisht.

Ministria u përgjigj se ka iniciuar kontrolle në institucione të ndryshme shëndetësore vetëm me kërkesa specifike.

Shumica e këtyre veprimeve janë bërë me kërkesa të familjeve, të dashurit e të cilëve kishin ndërruar jetë nga COVID-19. Këto kërkesa më pas i janë përcjellë Dhomës së Mjekëve Profesionistë.

Ministria konfirmoi se deri më tani asnjë laboratori nuk i është hequr licenca. reporter.al