Vitija: Në një laborator mostra është marrë nga një person që s’ka qenë profesionist shëndetësor
Bujar Vitija, gazetar i cili mbulon sektorin e shëndetësisë, ka thënë se çështja e testimit për COVID-19 është kthyer në biznes fitimprurës.
Licencimi i një numri të madh laboratorësh, sipas tij, ka ndikuar që kjo dukuri të jetë më e shpeshtë.
Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se numri i laboratorëve të licencuar është shumëfish më i lartë sesa kapacitetet e Inspektoratit Shëndetësor për t’i mbikëqyrur.
“Falsifikimi i testeve të COVID-19 është mjaft i përhapur. Fatkeqësisht puna e laboratorëve është kthyer në një biznes fitimprurës në Kosovë e jo vetëm për shkak të COVID-19. Ka qenë një rast në Skënderaj ku një laborator është gjobitur me 13 mijë euro, por jo vetëm për falsifikim të testeve të COVID-19. Është mbyllur për shkak se ka lëshuar rezultat pa qenë i pranishëm specialisti e mostra është marrë nga një person që s’ka qenë profesionist shëndetësor. Mund të ndodhin shumë më shumë raste se që po raportohen e sa ka kapacitete inspektorati. Janë 11 inspektorë shëndetësorë ndërsa janë të licencuara mbi 120 laboratorë”, ka deklaruar Vitija.
Tutje ai ka shtuar se duhet të krijohet një databazë zyrtare e verifikimit të testimeve.
“Laboratorët i kanë databazat e veta, por nuk është e verifikueshme në një databazë të përbashkët. Duhet të krijohet ndonjë databazë zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë apo IKShPK-ja”, ka shtuar Vitija .
Në “Kallxo Përnime” po transmetohet debati për testet COVID-19, dukurinë e falsifikimit të tyre si dhe mungesën e një sistemi digjital të regjistrimit të testeve.