Arrestohen tre persona për prostitucion

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në mundësim apo detyrim në prostitucion në një lokal në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë.

Më 21 dhjetor, rreth orës 17:35, pas një hetimi të bërë në koordinim me prokurorin e rastit, janë arrestuar tre persona, dy burra dhe një grua, të cilët dyshohet se janë përfshirë në veprat penale “Mundësim apo Detyrim në Prostitucion”, “Ofrim i lokaleve për prostitucion”, “Bashkëkryerje”.

Sipas policisë, personat e dyshuar janë shoqëruar në stacion policor dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit të rastit iu është caktuar masa e ndalimi për 48 orë.

Gjithashtu si prova materiale policia ka konfiskuar pajisje elektronike dhe katër telefona mobil.