Arrestimi i të dyshuarve nga Policia e Shtetit, Foto: Policia e Shtetit

Arrestohen tre persona, dyshohet se kërcënuan me vrasje një administrator të tërhiqej nga një tender

Policia e Shtetit ka arrestuar tre persona ndërsa një tjetër e ka shpallur në kërkim në lidhje me dyshimet se të njëjtit kanë kërcënuar një administrator të një kompanie që të tërhiqej nga një tender.

Operacioni i koduar “Tenderi” nisi mbrëmë dhe ka vijuar deri në mëngjesin e sotëm.

Policia në njoftimin e publikuar ka thënë se të dyshuarit fillimisht kishin kërcënuar administratorin e një firme në Cërrik dhe vijonin ta shtrëngonin që të tërhiqej nga një procedurë tenderimi që kishte fituar në bashkinë e Tiranës.

Pas një hetimi proaktiv njëmujor, strukturat hetimore të policisë në Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Tenderi”.

Në kuadër të këtij operacioni u kapën dhe u ndaluan shtetasit: E. B., 37 vjeç, A. A. 27 vjeç dhe Sh. A., 62 vjeç, tre banues në Tiranë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi L. K., 38 vjeç, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shtrënguar me anë të kanosjes, shtetasin E. M., administrator i një biznesi me qendër në Cerrik, Elbasan, duke i kërkuar që të tërhiqej nga një procedurë konkurrimi (tender publik), e fituar në bashkinë e Tiranës, nga firma që ai adminsitronte.

Shtetasi E. M. nuk ka pranuar të tërhiqet dhe këta shtetas e kanë kërcënuar se do të vrisnin atë dhe familjarët e tij.

U sekuestruan në cilësinë e provës materiale automjeti i përdorur nga autorët dhe 8 aparate celulare.

Materiale procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.