Ilustrim

Arrestohen 8 persona për krim të organizuar, Lundrim Beqiri njëri ndër ta

Policia e Kosovës ka arrestuar një grup kriminal prej tetë personave, ku njëri nga të arrestuarit është edhe Lundrim Beqiri, i kërkuari prej 9 muajsh nga Policia për vrasjen e 26 vjeçarit nga Mitrovica, Albert Muja.

Në njoftimin e Policisë është thënë se 8 personat e arrestuar dyshohen për katër raste, dy të ndodhura në Prishtinë dhe dy në Mitrovicë.

Rasti i parë është i datës 19 qershor 2022.

Në këtë datë rreth orës 02:20 ka ndodhur një zjarrvënie në një lokal në “Dardani” të Prishtinës, ku dyshohej se zjarri ishte shkaktuar nga hedhja e një shisheje me benzinë, koktej molotovi, e cila kishte shkaktuar vetëm dëme materiale.

Tri ditë pas kësaj, më datën 22 qershor 2022, rreth orës 03:30, në të njëjtin lokacion afër këtij lokali në Prishtinë ishte hedhur një granatë dore e cila kishte shkaktuar vetëm dëme materiale në tri veturat të cilat ishin të parkuara.

Sa i përket rasteve në Mitrovicë, sipas komunikatës së Policisë, më datën 6 qershor 2022, rreth orës 03:03, në rrugën “Shemsi Ahmeti” në Mitrovicë ishte hedhur një granatë dore e cila nuk ishte aktivizuar, pra shpërthyer.

Granata në fjalë nga vendi i ngjarjes , thuhet se ishte tërhequr nga njësia përkatëse e PK-së.

Ndërsa, më datën 28 qershor 2022, diku rreth orës 03:30, në rrugën e Mullirit në Mitrovicë, ishte hedhur një granatë dore e cila kishte shkaktuar vetëm dëme materiale.

Policia ka thënë se të dyshuarit janë të rinj, nga mosha 18 vjeçare deri në moshën 29 vjecare.

Të dyshuarit, D. R., 18 vjeçar, F. C., 19 vjeçar, Lundrim Beqiri, 22 vjeçar, A. P., 23 vjeçar, K. K., 24 vjeçar, G. I. 24 vjeçar, A. M., 27 vjeçar, E. C., 29 vjeçar fillimisht  me urdhër të prokurorit kanë qenë  në mbajtje,  pastaj sipas vendimit të Gjykatës u është vazhduar masa e paraburgimit për 30 ditë.

Gjithmonë duke iu referuar njoftimit të Policisë, gjatë arrestimeve në cilësi të prova materiale janë sekuestruar 8 telefona mobilë, 1 veturë, 6.7gramë substancë narkotike, marihuanë si dhe prova të tjera materiale të cilat shërbejnë në procedurë të mëtejme.

Veprat penale për të cilat dyshohen të arrestuarit janë “Pjesëmarrja ose Organizimi i Grupit Kriminal të Organizuar” që lidhen me veprat “Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm”, “Zjarrvënie”, “Detyrim” e të tjera.

Arrestohet pas 9 muajve Lundrim Beqiri, i dyshuar për vrasjen e 26 vjeçarit në Mitrovicë