Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

Arrestohen 6 persona, dyshohen për trafikim të 11-vjeçares në qershor

Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se janë arrestuar 6 persona nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale të trafikimit me njerëz, dhunim dhe shërbime seksuale të viktimës së trafikimit.

Siç njofton ky organ i drejtësisë, rasti lidhet me vajzën, 11-vjeçare, e cila ditë më parë u dhunua nga 5 persona në njërin prej parqeve të kryeqytetit.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti për të Mitur, ju njofton se në koordinim me Policinë e Kosovës, konkretisht Sektorin Qendror të Hetimeve-Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në vazhdën e hetimeve, pas sigurimit të ekzaminimeve dhe analizimit të provave, si dhe, intervistimit të dëshmitarëve, më 02.09.2022, fillimisht ka arrestuar gjashtë (6) persona të dyshuar, të cilët me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe për të njëjtit do të ndërmerren veprimet e mëtejme procedurale ligjore” – thuhet në njoftim.

Prokuroria njoftoi edhe për akuzat me të cilat ngarkohen të arrestuarit.

“Gjashtë personat e dyshuar (madhor), dyshohet se janë përfshirë në veprimtari penale, gjegjësisht si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi me njerëz”, ”Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Dhunimi’”, si dhe, në bazë të provave dhe dëshmive të siguruara deri më tani nga hetimet e zhvilluara, dyshohet se janë të përfshirë në rastin e qershorit, ku e mitura ishte raportuar si person i zhdukur” – thuhet tutje në njoftim.

Sipas Prokurorisë së Prishtinës, deri më tani ky organ ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme. Ndërsa në fund njoftoi se janë konfiskuar edhe 7 telefona mobil si prova materiale të rastit.

“Sigurojmë opinionin publik se për të dy çështjet penale ku e përfshirë është viktima e mitur, prokuroria në koordinim me institucionet e tjera relevante ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me profesionalizëm e përgjegjësi dhe po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore tutje” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Dosja e dhunimit të 11-vjeçares: Konfirmohet se vajza ishte edhe më herët viktimë

www.kallxo.com