Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arben Gashi: Mimoza Kusari Lila asnjëherë nuk më ka thirrë me pi kafe

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi e ka quajtur skandal përfshirjen e shefes së grupit parlamentar të LVV-së Mimoza Kusari – Lila në bisedat me nënkryetarin e Listës Serbe, Slavko Simiq.

Sipas Gashit, kryeministri Albin Kurti i ka dhënë leje deputetes Kusari – Lila që ajo të mos bëjë komunikime me deputetë shqiptarë për punë të Kuvendit.

Ai deklaroi se nuk është ftuar ndonjëherë nga deputetja për të pirë kafe dhe për të zgjidhur çështjet.

“Nuk pres përgjigje prej kryeministrit nëse e ka bërë me lejen e tij, sepse ai tha se ajo e ka për detyrë me i bë numrat dhe nëse ia ka dhënë këtë detyrë, ia ka dhënë detyrë edhe me bë komunikimin. Ia ka dhënë për detyrë mos me bë komunikimin me deputet shqiptar, mua asnjëherë nuk më ka thirr me pi një kafe me diskutu si të veprohet që të stabilizohet Kuvendi” – tha Gashi.

Gazeta Nacionale ka publikuar një audio-incizim, ku pretendohet që janë duke folur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Ky audio-incizim, siç ka thënë Gazeta Nacionale, ka ndodhur në qershor të vitit të kaluar, ku deputetja Kusari-Lila ka biseduar me ish-deputetin Simiq edhe për Millan Radojiçiq, i cili është person i dyshuar për rastin e vrasjes së ish-politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Kryeministri Kurti ka thënë dje se Kusari-Lila e ka për detyrë që për çdo projektligj që e sponsorizon Qeveria të sigurohen sa më shumë vota.

Sipas Kurtit, Qeveria e tij ka zero varësi nga Lista Serbe.

Kurti flet për audio-incizimet në të cilat u përfshi Kusari-Lila: Qeveria ka zero varësi nga Lista Serbe