Foto: Facebook/ Mimoza Kusari
Kurti flet për audio-incizimet në të cilat u përfshi Kusari-Lila: Qeveria ka zero varësi nga Lista Serbe
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për audio-incizimin, ku pretendohet që janë duke folur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq.
Kurti ka thënë se Kusari-Lila e ka për detyrë që për çdo projektligj që e sponsorizon Qeveria të sigurohen sa më shumë vota.
Sipas Kurtit, Qeveria e tij ka zero varësi nga Lista Serbe.
“Shefja e grupit tonë parlamentar natyrisht jo vetëm që komunikon e bashkëbisedon me shefat e grupeve të tjera parlamentare, por ajo e ka për detyrë që për çdo projektligj që e sponsorizon Qeveria të sigurohen sa më shumë vota. Ju e dini shumë mirë se Qeveria ka zero varësi nga Lista Serbe dhe kjo e ka bërë pushtetin tonë edhe demokratik, edhe liberal edhe progresist si asnjë tjetër në Kosovën e pavarur”- ka thënë Kurti.
Shefi i ekzekutivit e ka quajtur të gjymtuar dhe redaktuar incizimin ku është përfshirë deputetja Kusari – Lila dhe se organet e drejtësisë duhet të merren me incizimin.
“Së pari, aty shefja e grupit parlamentar dëgjohet disa sekonda e shumë minuta ka interpretime paraprake partizane në mënyrë që njerëzit të mos mendojnë vetë për ato që po dëgjojnë, e që qartazi është incizim i cili është i gjymtuar, i redaktuar dhe rrjedhimisht do të duhej që organet e drejtësisë të merren me të”- ka deklaruar Kurti.
I pyetur nëse ai ka biseduar ndonjëherë me Radojiçiqin, Kurti ka thënë “as që kam komunikuar, as që jam takuar ndonjëherë më personin në fjalë”.
Gazeta Nacionale ka publikuar një audio-incizim, ku pretendohet që janë duke folur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq.
Ky audio-incizim, siç ka thënë Gazeta Nacionale, ka ndodhur në qershor të vitit të kaluar, ku deputetja Kusari-Lila ka biseduar me ish-deputetin Simiq edhe për Millan Radojiçiq, i cili është person i dyshuar për rastin e vrasjes së ish-politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Përpos kësaj, Radojiçiq është i dyshuar edhe në rastin Brezovica e madje edhe është në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.
Kusari-Lila ka pranuar në Debat Plus në RTV Dukagjini se në takim me Sllavko Simiqin ka biseduar përmes telefonit edhe me Millan Radojiçiqin.
“Nuk ka pasur biseda që shkojnë përtej agjendës së Kuvendit” – tha Mimoza Kusari-Lila.