Arkiv - Gjykimi ndaj Shaban Gogajt, i akuzuar në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt

Apeli vendos për Shaban Gogajn, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Shaban Gogajt, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt. Apeli ka gjetur se ankesa e Prokurorisë së Gjilanit është a bazuar duke e kthyer në pikën zero rastin në fjalë.

“Me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, dhe sipas detyrës zyrtare anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.43/2019, të dt.14.12.2022, ashtu që çështja penale i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim e vendosje”- thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Në këtë rast ankesë kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë kishte bërë Prokuroria e Gjilanit, mbrojtësi i palës së dëmtuar, Berat Tmava dhe mbrojtësit e të akuzuarve në këtë rast Besnik Berisha dhe Erina Berisha.

Kujtojmë që me aktgjykimin e Gjykatës së Pejës, Shaban Gogaj ishte dënuar me 7 vite e gjashtë muaj dënim me burgim për vrasje nga pakujdesia dhe armëmbajte pa leje.

Në seancën e mbajtur më datën 23.03.2023 Prokuroria me ankesën e saj kundër aktgjykimit të Gjykatës së Pejës ku Shaban Gogaj ishte shpallur fajtor për vrasje nga pakujdesia dhe armëmbajtje pa leje, kishte kërkuar që çështja të kthehet në rigjykim apo aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet për pikën një të aktakuzës dhe të njëjtit t`i shqiptohet dënim më i ashpër.

Prokuroria pretendonte se ankesa e saj bazohet në shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, zbatimit të gabuar të kodit penal, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Ankesë lidhur me aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë kanë paraqitur Prokuroria Themelore e Gjilanit dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar në njërën anë.

Ankesë lidhur me vendimin e Gjykatës së Pjesës kishte paraqitur edhe Berat Tmava në cilësinë e mbrojtësit të palës së dëmtuar.

Tmava në këtë rast ka kërkuar nga Apeli që aktgjykimin e Gjykatës në Pejë ta anulojë dhe çështjen ta kthej në rigjykim apo aktgjykimin e ankimuar ta ndryshoj dhe të akuzuarin Shaban Gogaj ta shpall fajtor për dispozitivin një të aktakuzës, për veprën penale vrasje e rëndë, kurse për posedim të paautorizuar të armës t`i shqiptoj dënim konform dispozitave ligjore.

Gjithashtu në këtë kërkesë Tmava kërkoi nga gjykata që të akuzuarit tjetër në këtë rast Isuf Cacaj t`i shqiptoj dënim më të lartë.

Tutje Tmava kishte  thënë që nga vrasja e tashmë të ndjerit Tetaj, ka pasur ndërhyrje të shumta nga njerëzit e pandërgjegjshëm për ta favorizuar të akuzuarin Tetaj.

“Duke pasur parasysh edhe shkeljet e shumta prej datës 23.09.2018 kur ka ndërruar jetë Agonisi Ka pasur ndërhyrje të shumta nga njerëz të pandërgjegjshëm vetëm e vetëm që Shaban Gogajn ta favorizojnë… për këtë çështje juridiko penale”- kishte thënë Tmava.

Ndërkaq prindi i të ndjerit Agonis Tetaj, Isuf Tetaj kishte kërkuar nga gjykata drejtësi e asgjë më shumë.

“Unë vetëm kërkoj drejtësi, me kanë drejtësia në rregull, mos me pas dallavere me drejtësi, unë e kam pa me sy qysh më është vrarë djali…, unë veç e dua drejtësinë, është ma mirë edhe për ata edhe për mua drejtësia…, S`jam ka kërkoj diçka ma tepër veç se me m`u zbardhë se pse m`u ka vra djali, qysh m`u ka vra djali”- kishte thënë Isuf Tetaj në seancën që ishte mbajtur në Gjykatën e Apelit.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK