Anëtarja e OSHP: Nuk e di pse vetëm mua Qeveria më ka propozuar për shkarkim

Qeveria e Kosovës i ka dërguar Kuvendit të Kosovës propozim për të shkarkuar anëtaren e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Kimete Gashin, nga kjo pozitë, për shkak të tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë për insulina.

Në lidhje me këtë, Kimete Gashi në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se nuk e di pse vetëm ajo është propozuar për shkarkim, ndonëse vendimet e OSHP-së për tenderin për insulina e kanë nënshkruar gjithë anëtarët e bordit.

Ajo ka thënë se beson që Qeveria nuk është e informuar si duhet në lidhje me rastin.

“Pse veç mua, edhe mua po më intereson. Por unë jam e bindur që informacioni nuk i është i saktë Qeverisë së Kosovës. Ka gabuar dikush. Është publiku dhe ka marrë një masë dezinformuese. Vota ime dhe vota e të gjithëve ka qenë vetëm rivlerësim, nuk kemi dhënë vendim meritor. Unë ende besoj fuqishëm se ka marrë një të dhënë publike dezinformuese” – ka thënë Gashi.

“Unë ende besoj se nuk ka me shku deri te seanca (e Kuvendit), unë ende besoj që nuk është informacioni i duhur” – tha ajo.

Po ashtu, Gashi ka thënë se në kohën kur është emëruar bordi aktual i OSHP-së, i cili ankesat që ishin grumbulluar në OSHP i kishte hedhur poshtë si të pasafatshme, në këtë kohë Ministria e Shëndetësisë ka pasur mundësi ta nënshkruajë kontratën për insulina.

“Ka pasur institucione që e kanë nënshkruar kontratën, ka vazhdu domethënë. Jo (nuk kish shkel ndonjë ligj), sepse kështu kanë vepruar të tjerat institucione. Nëse (ministria) e kish nënshkru kurrgjë kurrkujt, kish vazhdu, ish harru kjo punë” – ka thënë Kimete Gashi.

Kimete Gashi, si anëtare e bordit të OSHP-së, është e vetmja e anëtare e këtij bordi që Qeveria e Kosovës i ka propozuar Kuvendit të Kosovës për shkarkim, pikërisht për tenderin për insulina.

Tenderi për insulina i Ministrisë së Shëndetësisë ka mbetur i bllokuar që nga viti 2020. Kjo për shkak se Ministria e Shëndetësisë kërkon që të anulojë në tërësi këtë tender, ndërsa Organi Shqyrtues i Prokurimit konsideron se dy kompanitë ofertuese janë të përgjegjshme për tenderin dhe rrjedhimisht po kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që të zbatojë procedurat ligjore për të anuluar tenderin.