Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, Foto: Balkan Insight/EPA/EFE

Ana Bërnabiq kërkon ndjesë pas arrestimit të gazetares serbe

Pasi një gazetare u arrestua për raportimin e kushteve të këqija në një spital, kryeminstrja e Serbisë ka premtuar të tërheqë një rregullore të re që penalizon këdo që publikon informacione rreth shpërthimit të koronavirusit që janë “autorizuar” më parë nga zyra e saj.

 

Autoritetet serbe kanë premtuar të tërheqin një rregullore të re në lidhje me rrjedhën e informacionit në lidhje me pandeminë, pasi një gazetare u arrestua për raportimin e kushteve të këqija në një spital të rëndësishëm.

Ana Laliq, e cila u lirua nga paraburgimi të enjten, u arrestua të mërkurën dhe u mbajt për 48 orë në polici pas publikimit të artikullit të saj për kushtet në Qendrën Klinike të Vojvodinës, krahina veriore e Serbisë.

Media ku ajo punon Nova.rs publikoi t mërkurën artikullin: “Qendra Klinikë e Vojvodinës në prag kolapsi: Nuk ka mbrojtje për infermierët”. Artikulli pretendonte se institucioni kishte mungesë të pajisjeve bazë dhe kishte “kushte kaotike pune në një kohë pandemie”.

Laliq pretendoi se u përpoq të merrte komente për këtë nga zyrtarët e spitalit dhe gjithashtu nga instituti i shëndetësisë i provincës, por askush prej tyre nuk u përgjigj.

Spitali bëri një deklaratë për shtyp tepër të zemëruar pas publikimit të artikullit, duke mohuar raportimin e saj dhe njoftoi se kishte lajmëruar zyrën e prokurorit dhe policinë “për shkak të shqetësimit të publikut dhe dëmtimit të reputacionit të spitalit”.

Laliq u arrestua në ditën e parë të zbatimit të rregullit të ri që thotë se të gjitha informacionet nga institucionet vendore në lidhje me pandeminë duhet të kalojnë nëpërmjet Shtabit Qendror të Krizave në Beograd, i udhëhequr nga kryeministrja Ana Bërnabiq. Vetëm ai mund të ndajë më tej informacione me publikun. Vendimi i qeverisë vlen gjithashtu për punën e mediave.

“Informacioni mbi masat shëndetësore të marra dhe informacionet e tjera në lidhje me trajtimin e COVID-19 që i jepet publikut nga persona të paautorizuar, nuk mund të konsiderohen të sakta dhe të verifikuara,” thuhet në masë, duke përmendur “mundësinë e zbatimit të rregulloreve në lidhje me përgjegjësinë dhe pasojat ligjore për përhapjen e dezinformatave në një gjendje të jashtëzakonshme”.

Megjithatë, të enjten Bërnabiq tha që qeveria do ta tërhiqte vendimin, duke fajësuar veten për çdo konfuzion të shkaktuar.

“Është faji im që sollëm diçka të tillë dhe është gjithashtu gabimi im që kur e prezantuam këtë rregullore, unë nuk e shpjegova”, tha Bërnabiq për Radio Televizionin e Serbisë, në lidhje me rregulloren.

Vetëm disa orë pasi Nova.rs publikoi artikullin e Laliç, policia shkoi në shtëpinë e saj në Novi Sad. Avokati i saj, Srgjan Kovaçeviq, tha se asaj iu dha urdhër të qëndrojë në stacionin e policisë në Novi Sad për 48 orë “nën dyshimin se ajo mund ta përsëriste krimin, duke botuar tekste që shkaktojnë panik dhe prishje rendi”.

“Ata kontrolluan apartamentin e saj dhe i sekuestruan një laptop dhe dy celularë. Më pas e sollën në rajonin e policisë”, tha Kovaçeviq për Nova.rs. Ai më pas tha se Laliq do të qëndronte në paraburgim deri në mbajtjen e seancës për të.