Burimi: Indeksi i Lirisë së Medias

Shqipëria 20 vende më poshtë në Indeksin e Lirisë së Medias

Organizata Reporterë pa Kufi renditi Shqipërinë në vend të 103 në Indeksin e Lirisë së Medias për vitin 2021, duke cituar rregullimin partizan të medias dhe kërcënimet në rritje që gazetarët po marrin nga krimi i organizuar dhe dështimi i shtetit për mbrojtjen e tyre.

Duke vlerësuar si tepër serioze gjenden e situatës ekonomike dhe politike të medias në Shqipëri, organizata ndërkombëtare Reporterë pa Kufij renditi Shqipërinë në vend të 103 në botë sa i përket lirisë së medias, një përkeqësim me 20 vende në krahasim me vitin paraardhës.

“Gazetarët përballen me presione politike, të cilat u përkeqësuan gjatë vitit 2021 nga përpjekjet për të kontrolluar informacionin gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe pandemisë së Covid-19,” vëren organizata në raportin e saj për Shqipërinë, duke argumentuar notën negative për Shqipërinë.

“Klasa politike kërcënon pavarësinë e redaksive përmes institucioneve të rregullimit të medias të cilat janë shumë të politizuara si dhe përmes menaxhimit të medias publike,” vëren më tej organizata.

“Gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballem me sulme të rregullta politike që synojnë t’i diskretitojnë ata, ndërsa kanë telashe në aksesimin e informacionit publik, gjë që është rrezikuar nga kufizime të mëtejshme nga centralizimi i komunikimit të qeverisë të ndërmarrë kohët e fundit,” shtohet më tej në raport. [Link]

Kuvendi i Shqipërisë vendosi vitin e kaluar të zgjedhë me votat e Partisë Socialiste Armela Imerajn, ish-zëdhënëse e Partisë Socialiste, në krye të bordit të Autoritetit të Medias Audiovizive, institucionit që licencon radiot dhe televizionet si dhe mbikëqyr disa aspekte të etikës apo monitoron sjelljen e tyre gjatë fushatave elektorale.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama vendosi gjithashtu që të krijojë një agjenci të centralizuar politike që të menaxhojë komunikimet e të gjithë qeverisë qendrore, përfshirë “prodhimin e materjaleve audiovizive” me qëllim “edukimin e publikut”. Drejtori i agjencisë u emërua zëdhënësi i kryeministrit Endri Fuga.

Prodhimi i “lajmeve” nga vetë qeveria, e cila më pas i shpërndan të gatshme për transmetim te televizionet e ndryshme, nuk është asgjë e re në Shqipëri dhe ka qenë praktikë e zakonshme gjatë tetë viteve të fundit të qeverisjes së kryeministrit Edi Rama. Por krijimi i një agjencie të tillë, u pa nga gazetarët shqiptarë si formalizim të një ministrie propagande.

Raporti vëren se shpërndarja e propagandës së qeverisë nëpër media të tjera, të cilat i transmetojnë materjalet propagandistike si lajme të prodhuara në mënyrë të pavarur, vjen nga shkalla e lartë e përqendrimit të medias si dhe financimeve publike të shpërndara në mënyra jotransparente.

“Një pjesë e madhe e tregut të medias në Shqipëri është përqendruar shumë në duart e katër apo pesë kompanive,” veren raporti. “Financimet publike përbëjnë një burim të madh të të ardhurave por shpërndahen në mënyrë opake, gjë që ngre dyshime për trafik ndikimesh,” vëren më tej raporti.

Imazhi i medias shqiptare u cënua rëndë gjatë muajve të fundit pasi Departamenti Amerikan i Shtetit vërejti në raportin e vet vjetor për të drejtat e njeriut se media përdoret për shantazh në Shqipëri ndërsa Ylli Ndroqi, pronar i televizionit Ora Neës u vendos nën sanksione nga Departamenti i Thesarit për të njëjtat arsye.

Data 2 maj është caktuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si dita ndërkombëtare e lirisë së medias.

Në Shqipëri, ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim u takua me gazetarët Edmond Hoxhaj (BIRN Albania) dhe Isa Myzyraj (Ora Neës) për të shprehur mbështetjen për gazetarinë e pavarur dhe për të dënuar sulmet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër gazetarëve. [Link]