Ambasadori i SHBA-së në Kosovë takon Ministrin e Mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka zhvilluar sot takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett.

Mehaj gjatë takimit ka falënderuar SHBA-të duke theksuar se mbështetja e deritashme e tyre ka qenë jetike në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Mbështetja e deritashme e SHBA-së ka qenë jetike në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të ndërveprueshme me forcat aleate të vendeve partnere dhe anëtare të NATO-së, që u kurorëzua edhe me pjesëmarrjen e kontingjentit të parë të FSK-së në misionin e parë jashtë vendit së bashku me forcat ushtarake amerikane”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes.

Mehaj tutje ka thënë se FSK-ja do të jetë në koordinim të plotë me SHBA-në dhe vendet e tjera partnere, duke shtuar se Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë gjithënjë në shërbim të qytetarëve.

Ndërkaq, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett ka premtuar bashkëpunim të mëtutjeshëm me FSK-në

“Ambasadori Kosnett, premtoi se SHBA, përmes bashkëpunimit me Armatën e SHBA-ve, Gardën Kombëtare të Ajovës, dhe programeve tjera, sikur edhe deri më tash, do të vazhdojë partneritetin me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në. Në fund, të dy ishin të një qëndrimi që të intensifikohet edhe më tej bashkëpunimi bilateral në mes dy vendeve partnere në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtes.