Friedrich Stift

Ambasadori i Agjencisë ADA tregon në cilat fusha po e ndihmojnë më shumë Kosovën

Ambasadori austriak që drejton Agjencinë Austriake për Zhvillim, ADA, Friedrich Stift, ka ndarë disa detaje për fushat në të cilat e kanë fokusuar ndihmën e tyre si agjenci.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se në Kosovë janë të fokusuar më shumë në arsim.

“Këtu në Kosovë ne kryesisht fokusohemi në arsimin e lartë, shkollim dhe trajnime profesionale. Në të kaluarën këtu jemi fokusuar edhe në ujë dhe sanitari; këtë vazhdojmë ta bëjmë akoma në Shqipëri. Po ashtu ne punojmë në ndërtim të institucioneve, qeverisje të mirë, sundim të ligjit, të drejta të njeriut, gazetari; pra këto janë fushat në të cilat ne jemi shumë aktivë”, thotë Stift.

Stift thotë se gjëja më e rëndësishme është se Kosova ka numër të madh të rinjsh, prandaj duan t’i trajnojnë për treg të punës.

“Mendoj që gjëja më e rëndësishme është që Kosova ka një numër shumë të madh të rinjsh. Gjysma e popullsisë janë nën moshën 30 vjeçare, prandaj ne dëshirojmë që të rinjtë të trajnohen dhe të gjejnë punë. Kjo do të thotë që trajnimi dhe arsimimi profesional (zanatet) janë shumë të rëndësishme në mënyrë që arsimimi të përputhet me nevojat e ekonomisë, pra aty ku ka punë”, shton tutje ai.

Sipas tij, ata mund të bëjnë ndryshimin në fushën e arsimit, pasi Kosova ka arritur të bëjë hapa të mëdhenj në këtë drejtim marrë parasysh vështirësitë që ka kaluar gjatë 30 viteve të fundit.

Stift tutje potencoi se si ADA janë duke punuar edhe në fushën e ekonomisë, me fokus zhvillimin rural, e gjitha kjo në bashkëpunim me CARITAS-in zviceran,

“ Ne punojmë në fushën e zhvillimit rural bashkë me CARITAS-in zviceran, ku po financojmë një projekt të rëndësishëm. Mendoj që Kosova ka shumë potencial në bujqësi, ju keni tokë shumë pjellore. Gjatë kohës këtu, kam dëgjuar edhe nga gazetarë të mirënjohur që Kosova importon 80% të produkteve të veta ushqimore, u befasova shumë sepse mendoj që ka shumë potencial ngase ju keni tokë të mirë, prandaj Kosova mund të prodhojë shumicën e ushqimit që e konsumon.

Ai tha se po mbështesin gratë, kryesisht ato që merren me çajra bimorë.

“Ne po mbështesim bujqit, sidomos gratë që prodhojnë çajëra bimorë, produkte medicinale por edhe kremra bimorë. Prandaj mendoj që ka shumë llojllojshmëri edhe në bujqësi por edhe në kultivimin e dredhëzave, mjedrave dhe produkteve të tjera që mund të eksportohen”, shtoi Stift.

Ai theksoi se kanë edhe një projekt së bashku me Fakultetin e Bujqësisë për prodhimin e verërave.

Stift përmendi edhe biznesin ’99 lule’ si shembull i suksesit të një gruaje që ka nisur ndërmarrjen me kultivimin e bimëve për qëllime mjekësore, për kremra të fytyrës, duarve dhe për foshnje.

“Është një projekt që quhet “99 Lule” që është një shembull i suksesit të një gruaje që ka filluar ndërmarrjen e vet në kultivimin e bimëve për qëllime mjekësore, për kremra të fytyrës e duarve, losione për foshnje. Disa nga produktet e saj tani janë të certifikuara nga Bashkimi Evropian, e që mendoj që është një histori suksesi të zonjës që eksporton çajëra në vende të tjera të Evropës. Prandaj kjo ka shumë potencial dhe na mundëson të shohim fuqinë e zonjës. Ajo punon me zonja të tjera, prandaj jam entuziast për takimin atje.

Kompania ADA është e koncentruar në 11 vende, ata kanë zyra në Kosovë, Shqipëri, Moldavi, Armeni dhe Gjerogji si dhe disa tjera në Afrikë.

Agjencia ADA  operon në Ballkanin Perëndimor qysh prej viteve ’90, kurse në Kosovë janë më shumë të fokusuar në arsim, shkollim të lartë dhe trajnime profesionale.