Fermerja Havushe Bunjaku. Foto: Antigonë Isufi/KALLXO.com

Nga toka te njeriu, biznesi unik i Havushe Bunjakut

Në një zonë ku pak njerëz do mendonin se mund të bënin biznes, Havushe Bunjaku ka arritur të ndërtojë një veprimtari fitimprurëse për familjen e saj. 

12 vite më parë biologia vendosi të nisë grumbullimin, kultivimin dhe përpunimin e bimëve mjekuese të cilat rriten në këtë zonë.  

Bimët mjekuese krijojnë të ardhura të mira ndërsa biznesi është zhvilluar edhe me grumbullimin e bimëve aromatike dhe frutave të malit, të cilat rriten në eko-zonën e Gollakut.

Kompanisë i është vënë emri ‘99 lule’ ndërsa përpos prodhimit ka arritur të marrë edhe certifikata të cilësisë për produkte si çaj, vajra, kremra, uthull të mollës organike.

Produktet natyrale të grumbulluara e përpunuara në Slivovë të Prishtinës, në bazë të kërkesës i shesin edhe për konsumatorë në Gjermani, Zvicër e Austri.

“Fillimi ka qenë i vështirë. Por t’u bazu në profesionin tim si biologe edhe i besoj natyrës shumë, e njoh këtë pjesë që është shumë e pasur me këto lloje të bimëve. Edhe tregut i mungonte një produkt organik vendor dhe fillova me këtë veprimtari. Fillimisht me dy-tri lloje te çajrave”, rrëfen ajo.

Natyrëdashësja bimët mjekuese aromatike i njeh mirë, pasi që e njeh edhe ekologjinë në të cilën rriten. Pavarësisht kësaj, për të ka qenë sfiduese të hapë një biznes.

“Fillimisht kam pasë problem me kapital sepse pa kapital nuk krijohet biznesi. Duke iu falënderuar donatorëve e fillova sepse ky biznes është i kushtueshëm”, tregon Bunjaku.

Fermerja Havushe Bunjaku. Foto: Antigonë Isufi/KALLXO.com

Përveç vështirësive financiare, ndërmarrsja është ndeshur edhe me paragjykime, për të cilat ka menduar që do të hasë probleme tjera për mbajtjen e biznesit.

“Ka qenë vështirë në fillim se dihet si është gjendja në Kosovë. Edhe aq më vështirë që një grua prej fshati, një grua rurale me depërtu me biznes, me të pëlqy dikush me ble produktin tënd, sepse në rast që se blejnë produktin edhe nuk kam shitje unë nuk mundem me funksionu si biznes,” shpjegon Bunjaku.

Në nisje të biznesit Bunjaku nuk kishte prona dhe tokë për të nisur veprimtarinë, mirëpo arriti të zhvillojë veprimtarinë duke lidhur kontrata me fermerë dhe gratë e zonës. 

 “Unë tokë timen nuk kisha që me fillu vetë, kështu që fillova me bimë të egra. Pastaj gratë u kyçën në këtë veprimtari edhe ato që kanë toka, që kanë kopshte apo ara, unë i jap fidanët ato i mbjellin dhe i bëjmë kontratat që e blej produktin prej tyre”, rrëfen ajo.

Tash pas 12 vitesh, “99 lule” ka lidhur 55 kontrata me 55 gra të komunës së Prishtinës. Pesë kontrata i kanë pasur të përhershme, njëzet i kanë lidhur në vitin vitin e kaluar dhe 30 tjera do t’i fillojnë këtë vit. Përveç kontratave kanë shpërndarë pako me impute bujqësore: fidanë, sistem të ujitjes, rrethoja dhe ushqyes për bimët.

 “Me këtë intervenim, me këtë veprimtari gratë e ndihmojnë buxhetin e familjes, por edhe i krijojnë të ardhurat për veten”, tha Bunjaku duke inkurajuar gratë që të merren me biznes.

Duke parë interesimin në rritje për produkte bio dhe vendore, Bunjaku planifikon ta zgjerojë edhe më tej biznesin e saj.

Gratë fillimisht i mbledhin bimët të cilat pastaj i kultivojnë dhe i përpunojnë si çajra. 

Të gjitha bimët fillimisht përpunohen, thahen. Pastaj nga tharja i grijnë dhe paketojnë në pako të vogla si çajra. 

‘99 lule’ gjithsej ka 31 lloje të çajrave organike të certifikuara.

 

Kompania ’99 lule’. Foto: Antigonë Isufi/KALLXO.com

Ndërkaq, frutat si molla e egër i fermentojnë në uthull organike. Llojet tjera të bimëve i ekstraktojnë dhe i nxjerrim vajrat. Kurse një pjesë tjetër të vajrave i shndërrojnë në kremra.

Zona ka potenciale të mëdha për zhvillimin e kësaj veprimtarie mirëpo për shkak të problemeve pronësore dhe parcelave të vogla, bujqit e zonës nuk po arrijnë të marrin subvencionet qeveritare të cilat ndahen për parcela më të mëdha kultivimi. 

“Edhe pse kemi aplikuar në Ministrinë e Bujqësisë po nuk na kanë përkrah, as gratë. Se këto kanë parcela të vogla po duhet me i përkrah edhe të vogla deri t’i rritin e t’i bëjnë të mëdha. Disa nuk i kanë tokat në emrat e tyre, besa unë nuk kam tokë hiç. M`u pa fletë poseduese të tokës mu aty me kanë refuzuar”, tregon Bunjaku. 

Dashuria ndaj bimëve e ka shtyrë Havushe Bunjakun që t’i inkurajojë vajzat dhe gratë që të merren me agrobiznes, të vetëdijësojë qytetarët për pasurinë që ofron toka e Kosovës dhe veçanërisht t’ i frymëzojë gjeneratat e reja që të merren me bujqësi.