Jorn Rohde - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Ambasadori gjerman përgëzon ministrin Peci: Ushqimi dhe birra më të mira pa tym përreth

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka përgëzuar ministrin e Bujqësisë, Faton Peci për nisjen e zbatimit të rregullores ekzistuese për duhanin që ndalon tymosjen në ambiente të brendshme.

Rohde është shprehur se ushqimi dhe birra janë shumë më të mira e shëndetshme pa tym duhani përreth.

“Lajm i mirë. Përgëzime që Ministri Peci ka filluar të zbatojë rregulloret ekzistuese të ndalimit të duhanit në restorante, bare etj. përmes inspektimeve të rrepta. Ushqimi dhe birra janë shumë më të mira pa tym duhani përreth, dhe shumë më të shëndetshme për të gjithë ne”- ka shkruar Rohde në rrjetin Twitter.

Në fillim të muajit prill, ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka njoftuar se do të ketë zero tolerancë ndaj atyre që nuk e zbatojnë Ligjin për Duhanin.

Ligji kundër duhanit, i cili ka hyrë në fuqi një dekadë më parë, ndalon pirjen e duhanit në hapësira publike – ku përfshihen lokalet hoteliere dhe shërbyese, hapësirat e punës, mjetet e transportit publik e vende të tjera.

Sipas Ligjit kundër duhanit, nëse tymoset duhan në hapësirat ku është e ndaluar me ligj, për subjektet afariste gjoba është nga njëmijë deri në tre mijë euro, derisa për personin fizik 30 deri në 50 euro. Në vitin 2022 sipas Doganave të Kosovës, janë importuar mbi 4 mijë tonë duhan në vlerë prej mbi 100 milionë eurosh.

Edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca pati qortuar deputet që kanë pirë duhan në hapësirë të mbyllur të Kuvendit duke i thënë se do të ja thërras inspektoratin.

Ligji për duhanin, inspektorët e ministri Peci inspektojnë edhe Kuvendin