Ambasadori amerikan: Asociacioni nuk ka autonomi

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier është deklaruar në lidhje shqetësimeve të ngritura se draft-statuti i propozuar nga Bashkimit Eueopian për Asociacionin do të ju japë një lloj autonomie serbëve në veri.

Hovenier tha se shumë njerëz të cilët ende nuk e kanë parë draftin po komentojnë atë përderisa ka ritheksuar se Asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive dhe në këto rrethana nuk mund të ketë autonomi.

“Mund të them atë që e thash më parë, SHBA-të besojnë fuqishëm se Asocaiacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë konform Kushtetutës së Kosovës, duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk duhet të ketë nivel tjetër të qeverisjes, nuk duhet të jetë autoritet ekzekutiv. Pra nuk e shoh si mund të ketë autonomi në këto rrethana, nuk ka”- deklaroi Hovenier.

“Besojmë fuqishëm që ky draft statut që është prezantuar tek Qeveria e Kosovës, përputhet me ato kritere që përmenda”- theksoi ai.

SHBA-të dhe BE-ja i kanë propozuar Kosovës një draft-statut për formimin e Asociacionit – një marrëveshje që rrjedh nga dialogu Kosovë-Serbi, propozim të cilin e ka pranuar kryeministri Albin Kurti.

Dokumenti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pakrahasimisht më i avancuar se sa ai i vitit 2013.

Këtë deklaratë e tha Kurti të martën para gazetarëve teksa shtoi se vërejtjet dhe kritikat e tij ia ka përcjellë edhe emisarit të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak.

“Ky është draft krejtësisht tjetër është pakrahasismisht më i avancuar por kjo nuk do të thotë që ne jemi të kënaqur, andaj edhe unë i kam dërguar vërejtjet dhe kritikat e mia. Nuk kam çfarë i shtoj deklaratës time që e kam thënë në Kuvend“- tha Kurti.