vucic ambasadoret e kuintit

Takimi mes Vuçiq dhe ambasadorëve të Kuintit, Foto/Instagram

Ambasadorët e Kuintit në takim me Vuçiq, ngrisin shqetësimin për tensione të mundshme

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka pritur sot në takim ambasadorët e vendeve të Kuintit.

Sipas raportimeve të RTS-së së Serbisë, ambasadorët e Kuintit i kanë dërguar një dokument të përbashkët Vuçiqit, në të cilën kanë shprehur edhe ‘shqetësim për prishje të mundshme të stabilitetit në rajon”.

RTS për këto detaje nga takimi është bazuar në një deklarim për media nga Zyra e Presidentit së Serbisëq.

Shqetësimi i ambasadorëve sipas RTS lidhet me afatin e ri-regjistrimit të automjeteve me targa serbe të cilat janë në Kosovë.

Vuçiq para ambasadorëve ka thënë se ndan shqetësimin për tensione të mundshme, duke shtuar se Serbia është e përkushtuar për dialogun si mënyrë për zgjidhjen e çështjeve të hapura, në të mirë të serbëve dhe shqiptarëve që jetojnë në Kosovë, pa i rrezikuar interesat e tyre shtetërore dhe kombëtare.

Ai theksoi se tensionet aktuale kanë lindur për shkak të lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës, si dhe për faktin se Prishtina nuk i respekton dispozitat e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes, e lidhur me ndërmjetësimin e BE-së.

Pas takimit, Vuçiq ka shkruar në  Instagram  se ka pasur diskutime serioze dhe thelbësisht të rëndësishme me ambasadorët e Kuintit dhe BE-së.

“Përkundër të gjitha sfidave, ne vazhdojmë të udhëheqim një politikë të përgjegjshme që ruan paqen dhe interesat kombëtare të vendit tonë, për të mbrojtur frymën e lirisë dhe pavarësisë së Serbisë dhe gjithmonë t’ua themi të vërtetën të gjithëve”, ka thënë Vuçiq në profilin e Instagramit .

Në takim ishte i pranishëm edhe drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq.