Ambasada e Frances ne Kosove

Ambasada e Francës në Kosovë flet për deklaratën e presidentit Macron për vizat

Një deklaratë e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, e bërë dje në Tiranë në lidhje me çështjen e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës ka ngjallur huti e debat në opinionin kosovar.

Ambasada e Francës në Kosovë në një përgjigje për KALLXO.com është deklaruar lidhur me këtë.

“Ai (Emmanuel Macron) bëri thirrje për një frymë përgjegjësie të presidentit serb Vuçiq, dhe të njëjtat pritshmëri i kishte edhe nga presidentja dhe kryeministri kosovar. Pikërisht në këtë kontekst, ai përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave, e cila ishte një gjest mirëbesimi, por që në këtë periudhë nuk ishte reciproke. Prandaj, ai pret që autoritetet kosovare, sikurse edhe autoritetet serbe, të respektojnë fjalën e dhënë dhe të riangazhohen për të ecur përpara në javët e ardhshme”- thuhet në përgjigjen e tyre.

Tutje Ambasada ka thënë se Macron theksoi nevojën që të dyja palët të dëshmojnë një frymë përgjegjësie.

“Ai nënvizoi qartë pritshmëritë e tij nga presidenti serb Vuçiq që të dënojë me vendosmërinë më të madhe aktet e 24 shtatorit dhe të ndihmojë në rivendosjen e qetësisë në kufi”- thuhet në përgjigjen për KALLXO.com.

Ne mediat vendore dhe ndërkombëtare dje gjatë ditës kanë qarkulluar disa versione të deklaratës së presidentit Macron.

Sipas përkthimit në videon e transmetuar në profilin zyrtar të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, presidenti francez ka thënë kështu: “E them me qartësi ju kemi besuar për vizat, çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respekt për fjalën e dhënë dhe fjala nuk po mbahet. Pres që palët të angazhohen që të ecin përpara dhe është kushti i paqes në të gjithë zonën”.

Ndërsa, sipas Radio Evropa e Lirë, Emmanuel Macron, ka thënë se “Franca bëri një gjest besimi sa i përket çështjes së vizave për Kosovën”.

“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”- ka thënë Macron sipas Radio Evropës së Lirë.

Një tjetër version i kësaj deklarate u publikua në gazetën franceze “Le Figaro”.

Përkthimi i citatit të përdorur nga kjo gazetë thotë se Macron u shpreh kështu: “E them me shumë qartësi, ne kemi bërë një gjest besimi rreth çështjes së vizave. Ajo është pezulluar sa i përket Francës, në respekt të fjalës së dhënë dhe fjala sot nuk është mbajtur. Unë pres një angazhim të vërtetë nga të dy autoritetet për të përparuar në javët e ardhshme. Ky është kushti edhe për paqe në tërë rajonin”.

Deklarata e presidentit francez për liberalizimin e vizave shkakton huti, institucionet e Kosovës s’e thonë asnjë fjalë