Ambasada e Britanisë: Dënojmë sulmin ndaj Policisë, institucionet e Kosovës të lejohen të kryejnë hetimet

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka dënuar sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku polici Afrim Bunjaku mbeti i vrarë.

Përmes një reagimi në rrjetin Twitter, Ambasada ka bërë thirrje për qetësi dhe zgjidhje paqësore të situatës.

“Britania e Madhe dënon sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës në Banjska/Banjskë në orët e hershme të mëngjesit të sotëm. Ngushëllimet tona më të thella shkojnë për familjen dhe kolegët e policit të Kosovës Afrim Bunjaku, i vrarë në krye të detyrës. I urojmë shërim të shpejtë oficerëve të plagosur në sulm. Ne bëjmë thirrje për qetësi dhe për zgjidhje paqësore të situatës së vazhdueshme në Banjskë”- thuhet në reagim.

Tutje, në reagim potencohet se institucionet e Kosovës duhet të lejohen të hetojnë dhe identifikojnë autorët e këtij sulmi.

“Institucionet e Kosovës duhet të lejohen të hetojnë dhe të identifikojnë autorët e këtij sulmi të tmerrshëm, në mënyrë që ata të sillen para drejtësisë në përputhje me sundimin e ligjit. E mirëpresim bashkërendimin e ngushtë të Policisë së Kosovës, si reagues i parë, me EULEX-in dhe KFOR-in”- thuhet më tej në njoftim.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën pas sulmit në fshatin Banjskë të Zveçanit.

KALLXO.com ka raportuar se persona të maskuar dhe të armatosur janë brenda manastirit të Banjskës.

Kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media ka publikuar fotografi nga manastiri ku shihen personat e armatosur dhe me uniformë.

Vritet një polic i Kosovës, plagoset një tjetër