Qeveria e Kosovës ndriçohet me ngjyrat e flamurit të Ukrainës. Foto: Kryeministri Albin Kurti në Twitter

Ambasada amerikane: ShBA dhe Kosova qëndrojnë bashkë krah Ukrainës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë në një postim në Facebook ka shkruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova qëndrojnë bashkë përkrah Ukrainës.

“Edhe në ditët më të errëta, dritat e SHBA-së dhe Kosovës shkëlqejnë si një”, ka thënë Ambasada.

Tutje, Ambasada ka postuar një citim të presidentit të ShBA-së, Joe Biden në të cilin thuhet se javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë të vështirë për Ukrainën.

“Javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë të vështira për popullin e Ukrainës. Putin ka lëshuar një dhimbje të madhe mbi ta. Por populli ukrainas gëzon 30 vite pavarësi dhe ka treguar vazhdimisht se nuk do të tolerojë askënd që përpiqet ta kthejë vendin e tyre mbrapsht”, ka shkruar ambasada amerikane.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit. Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special”, për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Kosova po ashtu i’u bashkua ShBA-së dhe Evropës për sanksione ndaj Rusisë.