Ambasada amerikane në Serbi shpërndan reagimin e Sekretarit Blinken që dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi ka shpërndarë deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, që tha se SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të shtetit, duke u bërë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet.

Në një postim në platformën X, Ambasada ka ripublikuar në gjuhën serbe një pjesë të deklaratës së Sekretarit të Shtetit.

“SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet e dhunshme të koordinuara ndaj Policisë së Kosovës që nga 24 shtatori. I bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin lëvizjet apo retorikën që do të nxiste më tej tensionet dhe të kthehen në dialog me ndërmjetësimin e BE-së”- thuhet deklaratën e Blinken, e shpërndarë nga Ambasada.

Në një postim tjetër, Ambasada amerikane në Serbi po ashtu ka ripublikuar në gjuhën serbe postimin e zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Mathew Miller.

“Sulmet e dhunshme të fundit ndaj Policisë së Kosovës pranë manastirit të Banjskës janë të papranueshme. I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga lëvizjet që do të rrisin më tej tensionet dhe t’i kthehen menjëherë dialogut nën kujdesin e BE-së”- thuhet në postim.

Gjithashtu, ne ueb-faqen zyrtare të Ambasadës së SHBA-ve në Serbi është publikuar reagimi i plotë i Sekretarit Blinken.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Organet e rendit zyrtarisht kanë konfirmuar se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Prova të reja, pajisje e materiale janë gjetur e konfiskuar në orët e fundit në vendin e ngjarjes në të cilin për orë të tëra gjatë ditës së djeshme pati përleshje me armë zjarri mes një grupi terrorist dhe Policisë se Kosovës.