Aliu ankohet se problemet e trashëguara po u sjellin telashe e realizimin e projekteve

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu është duke raportuar në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim.

Aliu ka folur për punët që janë kryer nga ana e kësaj Ministrie, duke treguar se kanë përfunduar shpronësimin pronave në Babaj të Bokës për shfrytëzimin e operacioneve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ai ka thënë se plani për parkun Sharri është në fazat e fillimit dhe se kanë filluar punimet për kyçje e Vitisë në autostradë.

“Korridoret ajrore me Shqipërinë janë hapë dhe më datën 5 tetor do bëhen të planifikueshme. Kemi miratuar udhëzimin për qeset e plastikës që do të ndihmojë në reduktimin e tyre që do të dërgoj në reduktimin e tërësishëm. Po punojmë në implementimin e tij” – ka thënë ministri.

Ai tutje ka shtuar se kanë filluar punimet për rrugën Prishtinë-Podujevë dhe se kanë bërë shpronësime në veri të vendit të cilat kanë hyrë në shërbim të Policisë së Kosovës.

“Te fusha e shpronësimeve kemi bë edhe shpronësime për stadiumin Adem Jashari. Kemi punu në pjesën veriore tek Lagja e Boshnjakëve për asfaltimin e rrugëve. Me kryetarin e Leposaviqit sot kemi nënshkru marrëveshje për mirëmbajtjen e rrugëve në atë pjesë të vendit, zëvendësministri është atje” – vazhdoi tutje ministri.

Ai gjithashtu tha se ka filluar edhe ndërtimi dhe rindërtimi i shtëpive të shqiptarëve në veri që janë shtëpi të dëmtuara në kohën e luftës.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa ka pyetur ministrin se sa përafërsisht është përqindja e investimeve kapitale deri në muajin shtator dhe po ashtu ka pasur pyetje edhe për projektin e rrugës Prishtinë – Podujevë.

“Duket një dinamikë e punës por sezona e dimrit po afrohet dhe mund të shkaktohen aksidente, a keni menduar se çka do të bëni para sezonës së dimrit” – tha Mustafa.

Ministri Aliu tha se deri tani kanë arritur në 30 për qind në investimet kapitale ndërsa sipas tij vitin e kaluar ka qenë 15 për qind.

“Jemi më mirë se sa vitin e kaluar” – tha Aliu.

Pyetje për ministrin pati edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës., Ganimete Musliu.

“Raporti që na e keni sjellë nuk e përmban raportin e detajuar financiar dhe ministria e juaj përmban më së shumti buxhet. Ky raport është ma shumë renditje e aktiviteteve. Auditori ka dhënë një raport për pasqyrat financiare pra ka dhënë raport të keq që Ministria duhet të përmirësojë gjendjen. Sa rekomandime keni arrit t`i zbatoni” – tha deputetja.

“Në vitin 2022 janë pagu 64 punëtorë pa pasur objektiva pune, pse? Rruga Skenderaj Drenas, a ka mundësi me ditë se kur përfundojnë këto punime” – vazhdoi tutje ajo.

Aliu tha se raportet e auditorit janë marrë seriozisht, dhe pranoi se kanë pasur telashe në fushat e pagesave.

“Rruga Drenas-Skenderaj, shpronësimet kanë pas telashe të mëdha kemi qenë në komunikim me kryetarin e komunës, por janë realizuar disa marrëveshje” – tha ministri.

Musliu e mori fjalën prapë për këtë çështje.

”Nuk mora përgjigje në pyetjen për rrugën Skenderaj-Drenas, më intereson një deadline (afat), kur do të fillojnë punimet për këtë rrugë. Vetë keni thënë që keni buxhet, keni proklamu që keni shumë buxhet – tha Musliu.

Ministri Aliu u përgjigj duke thënë se kanë probleme të trashëguara dhe nuk mund të realizohet aq shpejtë.

“Hala s’ka me u realizu aq shpejt, se ka probleme të trashëguara. Shkel e shko nuk ka me u bë më” – tha Aliu.

Tutje ai tha se për rrugën Drenas- Skenderaj buxhetin e kanë të ndarë dhe se dje e kanë biseduar deri në çfarë faze kemi mbërri.

Aliu tutje tha se nuk mund të jap premtim, pasi sipas tij po të ishte puna që e bën vet ai do t’i kishte dhënë një premtim.