Albulena Haxhiu për raportin “Imuniteti i Korrupsionit”: BIRN dhe I/KS po bëjnë punë kualitative për sistemin e drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot ka marrë pjesë në konferencën e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese dhe Internews Kosova, ku u publikua raporti i 16-të i monitorimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë.

Haxhiu ka falënderuar BIRN dhe Internews Kosova për punën që bëjnë për sistemin e drejtësisë e veçanërisht për shkrimin e raporteve kualitative mbi sistemin e drejtësisë.

Haxhiu tha se lufta kundër korrupsionit mbetet përkushtim i Ministrisë së Drejtësisë, e cila deri më tani ka hartuar ligje dhe akte nënligjore në këtë drejtim.

“Rishikimi funksional i sistemit të drejtësisë por më pas edhe vet Strategjia për Sundimin e Ligjit në Kosovë, ku jemi bashkë me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe me Këshillin Prokurorial të Kosovës, na ka rekomanduar disa ndryshime ligjore që në thelb prekin korrupsionin, qoftë nga sistemi i drejtësisë, qoftë nga profesionet e lira. Miratimi i këtyre ligjeve është hap tjetër drejtë mbylljes së rrugëve të korrupsionit në sistemin e drejtësisë por edhe në tërë aparatin shtetëror”, tha Haxhiu në këtë konferencë.

Ministrja Haxhiu shprehu shqetësimin për fakti që, sipas këtij raporti, Gjykata Supreme nuk rezulton me zbatim të plotë përkitazi me udhëzuesit për shqiptimin e gjobave dhe Udhëzuesin e veçantë për rastet e korrupsionit.

“Konsideroj që ky raport dhe këto lëndë që kanë qenë nën llupën e monitoruesve do të ishte mirë të vendoseshin edhe nën llupën e mekanizmave të Këshillit Gjyqësor për çështjen e performancës dhe profesionalizmit të gjyqtarëve apo trupave gjykues që kanë nxjerr vendime të tilla”, potencoi Haxhiu.

Ministrja shprehu zotimin për vazhdimin e reformës në drejtësi, me theks të veçantë Vetting-un dhe Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke zbatuar rekomandimet e dala nga Komisioni i Venecias.

“Unë besoj që kjo luftë është një e përbashkët e jona që materializohet përmes ligjeve e akteve nënligjore më të mira nga ana jonë, e me aktakuza, aktgjykime e dënime të të korruptuarve në anën tjetër”, përfundoi fjalimin e saj ministrja e Drejtësisë.

Raporti titullohet “Imuniteti i Korrupsionit” dhe në të janë analizuar aktgjykimet dënuese të 40 rasteve të korrupsionit të nxjerra gjatë vitit 2021.

Ky raport i monitorimit fokusohet në analizimin e politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit të shqiptuara nga gjykatat e Kosovës gjatë vitit 2021.

Raporti tregon se si gjykatat e Kosovës në rastet e korrupsionit nuk kanë zbatuar politikë ndëshkimore në përputhshmëri me udhëzuesit e nxjerrrë nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Raporti nxjerr në pah dënimet e ulëta te rastet e korrupsionit dhe rrethanat të cilat janë marrë parasysh për shqiptimin e dënimeve më të ulëta.

Pos tjerash ky raport trajton numrin e madh të rrethanave lehtësuese që merren për bazë karshi atyre rënduese në rastet penale të cilat ndikojnë në lartësinë e dënimit.

Po ashtu raporti shpërfaq se në aktgjykimet e gjykatave për rastet e korrupsionit nuk kemi arsyetim të rrethanave rënduese dhe atyre lehtësuese.

Të pranishëm në konferencën për publikimin e raportit ishin ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, U.D. Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci.