Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Albulena Haxhiu i reagon prapë Xhafer Tahirit, publikon vendimin e anulimit të kontratës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka reaguar përsëri kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri lidhur me ndaljen e punimeve tek ish Vicianum.

Haxhiu në rrjetin Facebook publikoi një vendim të Ministrisë së Drejtësisë ku anulohet kontrata e nënshkruar në vitin 2020 nga ish ministri i Drejtësisë, Selim Selimi dhe drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, Nehat Thaqi për dhënie në shfrytëzim të pronës “Hotel Vicianum”, pronë e Ministrisë së Drejtësisë, respektivisht Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Në vendim theksohet se është njoftuar Komuna e Vushtrrisë dhe se vendimi hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit.

Ministrja Haxhiu i ka bërë thirrje kryetarit Xhafer Tahiri të respektojë vendimin ose do bëjnë kallëzime penale.

“Kur një kryetar Komune, vendimin për mbrojtjen e pronës publike e quan “problem të krijuar, çka me thënë tjetër z. Xhafer Tahiri, zbatojeni vendimin që e keni pranuar nga Ministria e Drejtësisë ose do të detyrohemi të bëjmë kallëzime penale”, ka shkruar Haxhiu.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se Komuna e Vushtrrisë nuk ka kërkesë nga Ministria e Drejtësisë për ndalje të punës tek ish Vicianum.