Albin Kurti takon ambasadorin e Francës para zgjedhjeve

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se Albin Kurti e ka pritur në takim ambasadorin e Francës Didier Chabert.

“Përgjatë takimit ramë dakord për nevojën e organizimit sa më të mirë të zgjedhjeve të lira dhe demokratike në Kosovë, pa keqpërdorime dhe shkelje të këtij procesi kaq të rëndësishëm për vendin”, thuhet në komunikatën e VV-së për takimin që është mbajtur të premten.

Kanë folur edhe për qeverinë e re.

“Në bisedë i treguam ambasadorit edhe për nevojën urgjente që ka Kosova për një qeveri të re e cila i përqendron forcat dhe vëmendjen e saj për ta lidhur arsimin tonë me tregun e punës, për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur investimet në shërbim të zhvillimit ekonomik”, thuhet në komunikatën e VV-së.

Në përfundim të takimit, VV-ja thotë se ambasadori përsëriti përkushtimin e tij në përforcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe në ndjekjen e zhvillimeve Kosovë.