Albin Kurti në pritje të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë sot se është në pritje të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së dhe rezultateve që do të dalin nga ajo mbledhje për të parë nëse ka çka të diskutohet më tej me LDK-në rreth koalicionit qeveritar.

Mbledhja e KP të LDK-së është thirrur për sot në orën 14:30.

Duke folur për këtë çështje pasi përfundoi dëshminë e tij në prokurori rretyh një kallëzimi penal ndaj Hashim Thaçit e Kadri veselit, kreu i VV-së megjithatë la të kuptohet se është i pakënaqur me këtë mbledhje të thirrur nga LDK.

“Nuk dua të ndërhyj në LDK e cila ka thirrë një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm. Ngelet të shihet pasdite se kjo mbledhje a është thirrur për t’i betonuar qëndrimet për qëndrimet e njohura deri tani apo për ta mundësuar marrëveshjen”, tha Kurti para gazetarëve.

“Duhet të ketë takime por nuk mund të ketë takime derisa thirren organet më të lartë të subjekteve”, tha Kurti.

Ai u pyet edhe rreth mundësisë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja në rast se bisedimet nuk do të nxjerrin një qeveri.

“Unë besoj, shpresoj, uroj se ashtu siç ka vendosur populli ta kemi një qeveri të re nga opozita e deridjeshme në mënyrë që ta çkapim shtetin”, tha Kurti.