Ilustrim Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Akuzohet për vjedhje të votave në 2017, nuk pranon fajësinë

Suzana Mehmeti Teneshdolli e akuzuar për falsifikim me rezultate të votimit është deklaruar e pafajshme lidhur me pretendimet e prokurorisë.

“Plotësisht e pa fajshme”- u deklarua e pandehura në shqyrtimin fillestar të mbajtur para kryetarit të trupit gjykues, Agim Kuçi.

Me të filluar seanca, prokurori i Prishtinës, Ilaz Beqiri, njoftoi gjyqtarin për një gabim teknik që është bërë në momentin e ngritjes së aktakuzës e që kishte të bënte me të dhënat personale të të akuzuarës.

Në aktakuzës mbiemri i të akuzuarës figuronte Mehmeti Reqica kurse pas njoftimit për ndryshim del të jetë Mehmeti Teneshdolli.

E pandehura në seancë u paraqit pa mbrojtës dhe e njëjta refuzoi propozimin e gjyqtarit të rastit, që të angazhohet një mbrojtës i cili do t’i caktohej sipas detyrës zyrtare për ta përfaqësuar të pandehurën në seancat e radhës.

Sipas aktakuzës në tetor të vitit 2017 në shkollën fillore “Nëna Terezë” në fshtatin Teneshdoll, Komuna e Prishtinës, të pandehurit gjatë numërimit të votave, me marrëveshje paraprake kanë falsifikuar rezultatet e votimit për zgjedhjet lokale të deputetëve komunal të Republikës së Kosovës.

Në këtë rast të përshirë janë edhe Antoneta Reçica në cilësi të kryetarit të këshillit të vendvotimit, Labinot Dragusha, Gresa Imeri, Lendita  Rexhepi, Rexhep Reçica, Dardan Gërbeshi, Urim Krasniqi, Suzana Mehmeti, Verona Rrahmani si anëtarë të këshillit të vendvotimit, që sipas aktakuzës kanë falsifikuar rezultatet e votimit.

Sipas aktakuzës të pandehurit kanë regjistruar në mënyrë jo të saktë gjithsej 51 votat e kandidatëve brenda përbrenda subjektit të njëjtë politik. Ashtu që kandidatëve të preferuar të tyre ju kanë shtuar nga 2 vota edhe duke hequr 49 vota dhe duke i shtuar PDK-së 2 vota.

Po ashtu sipas aktakuzës, ia kanë hequr subjektit politik “Lëvizja për Bashkim” 3 vota dhe LDK 46 vota të cilat i kanë bartura në formularin e përputhjes së të dhënave dhe rezultateve.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime janë dëmtuar kandidatët brenda subjektit politik dhe KQZ-së.