Akuza për përzgjedhjen sekrete të anëtarëve të KPM-së, reagon kryetarja e Komisionit Parlamentar

Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media ka nxitur reagim nga shoqëria civile në Kosovë dhe organizatave ndërkombëtare të gazetarëve.

Komisioni ad-hoc i ka rekomanduar Kuvendit 6 kandidatë për tre anëtarë të KPM-së: Hysni Mustafa, Luljeta Aliu, Arber Jashari, Vlorë Berisha, Fatih Basha, Maja Staletovic.

KALLXO.com ka kërkuar qasje në CV-të e kandidatëve dhe në gjithë dokumentacionin e komisionit ad-hoc për këtë proces të rekrutimit, duke përfshirë poentimin e bërë për secilin kandidatë dhe secili anëtarë i komisionit vlerësues.

Anëtarja e shoqërisë civile, Flutura Kusari po pretendon se përzgjedhja e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media është bërë në procedurë krejtësisht sekret.

Sipas Kusarit, intervistimi i kandidatëve është bërë fshehurazi më 13 dhe 14 korrik 2021 nga një komision Ad-hoc i Kuvendit të Kosovës.

Ajo thotë se ky është tentim për degradim të mëtutjeshëm të këtij institucioni.

“Organizatat joqeveritare, aktivistët dhe mediat janë përjashtuar tërësisht dhe pamëshirshëm nga ky proces. Kurrë nuk do ta dimë si janë organizuar intervistat, a janë bërë pyetjet e njëjta, a është përdorë metodologjia e britanikëve, si kanë përformuar kandidatët apo a e kanë favorizuar shumica dikë pa meritë”, ka shkruar ajo në rrjetin social “Facebook”.

Ajo ka thënë se njoftimi nuk është publikuar në ueb-faqe të Kuvendit.

“Nuk mbaj mend të ketë ndodhur një gjë e tillë ndonjëherë në Kuvendin e Kosovës, pra që një proces kaq i rëndësishëm të organizohet në procedurë të fshehtë TOP SEKRET. Edhe kur mbahen takime në mes të drejtorit të AKI-së dhe deputetëve, uebsite i Kuvendit lajmëron për takime të tilla, por qëllimshëm nuk ka lajmëruar për këtë proces”, ka thënë Kusari.

Ajo ka thënë se procesi duhet të anulohet në tërësi ose të paktën të përsëritet intervistimi.

“Ndërkohë, nuk mbet tjetër përveç me e lajmëru komunitetin ndërkombëtar dhe me u siguru që në secilin raport që vlerësohet liria e shprehjes dhe e mediave do të përmendet se çfarë ka ndodhë në Kuvend me 13 dhe 14 qershor 2021. Deputetët përgjegjës janë Doarsa Kica-Xhelili, Valon Ramadani, Fidan Jilta, Nijazi Isaku, Fitim Haziri, Besim Muzaqi dhe Slavko Simiq”, ka shkruar Kusari.

Të njëjtin reagim e ka përkrahur edhe Ricardo Gutierrez nga Federata Evropiane e Gazetarëve (EJF), duke u shprehur të shqetësuar për emërimin e tre anëtarëve të KPM-së.

Gutierrez ka shkruar se si federatë bëjnë thirrje deputetëve të Kosovës që të bëjnë publike procesverbalet.

“EFJ nuk e kupton pse ky proces emërimi u zhvillua në 13 dhe 14 korrik në fshehtësi totale. Ne u bëjmë thirrje parlamentarëve të Kosovës që të bëjnë publike procesverbalet e dëgjimeve të kandidatëve. Qytetarët e Kosovës dhe gazetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë thanë kandidatët dhe mbi çfarë baze do të bëhet zgjedhja e kandidatëve të suksesshëm. Në një demokraci, menaxhimi i organeve të monitorimit të mediave kërkon transparencë maksimale”, ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”, ku ka shtuar se ka ende kohë për të lejuar shtypin dhe shoqërinë civile të monitorojnë këtë proces të emërimit.

Gjithashtu, Organizata Gazetarët pa Kufi (RSF) ka reaguar duke thënë se kandidatët për anëtarësim në Komisionin e Pavarur të Mediave janë intervistuar me dyer të mbyllura, pa gazetarë dhe shoqëri civile.

“Në kundërshtim me praktikën e vendosur parlamentare, kandidatët për anëtarësim në Komisionin e Pavarur të Mediave janë intervistuar me dyer të mbyllura dhe pa gazetarë dhe shoqëri civile. I bëjmë thirrje Parlamentit të hapë procedurat për kontrollin publik”, thuhet në reagimin e publikuar në rrjetin social “Tëitter”

Në anën tjetër, ndaj pretendimeve të Flutura Kusarit, kryetarja e Komisionit për Media, njëherësh deputetja e LVV-së, Doarsa Kica – Xhelili ka thënë se nuk shpërfaqin të vërtetën e plotë.

Mes tjerash ajo ka thënë se i kam sqaruar Kusarit se ajo ende nuk ka pranuar konfirmim nga Ambasada Britaneze për përfshirje në emërimin e anëtarëve të bordit përfshi të KPM-së.

Ajo në një tekst të gjatë ka sqaruar në pesë pika procesin duke bashkangjitur edhe fotografi nga email-i të cilin ia ka dërguar privatisht edhe Flutura Kusarit, pasi kjo e fundit kishte kërkuar qasje në informacion.

Ajo ka thënë se “komisioni ad-hoc është themeluar në seancë plenare, pra, seancë PUBLIKE”.

“Nga informacioni që kam pranuar nga administrata e Kuvendit të Republikës së Kosovës (pra administrata, jo partitë politike), më është sqaruar se komisionet ad-hoc themelohen në seanca plenare dhe kushdo që dëshiron të dij më shumë për procesin, i drejtohet administratës apo komisionit ad-hoc, që të kërkoj pjesëmarrje në intervista si monitorues. NUK ka pasur kërkesë të tillë kësaj radhe, përfshirë nga znj. Kusari”, ka shtuar Kica- Xhelili.

Ajo ka thënë se në komisionin ad-hoc kanë marrë pjesë deputetët e opozitës.

“Kam sqaruar të gjithë anëtarët e panelit intervistues, por që për arsye të panjohura e të cilat nuk dua ti paragjykoj, zj. Kusari ka vendosur të mos përmend anëtarin e LDK, Armend Zemaj, dhe anëtaren e AAK, Albana Bytyqi. Dhe, meqenëse për një arsye apo tjetrën paska vendosur që këta dy t’i kursej, unë i bëj thirrje që po këta që i ka kursyer, t’i pyes për mbarëvajtjen e intervistimit. Këtë nuk po e them me ndonjë prapavijë për këta dy anëtarë, por për faktin se e kam vlerësuar paanshmërinë e anëtarëve të të gjitha partive politike gjatë intervistimit, përfshirë të këtyre dyve. Së paku unë i kam përceptuar të tillë. Këtu duhet cekur gjithashtu që anëtarët nga radhët e PDK-së kanë munguar”, ka shkruar ajo.

Ajo ka dhënë edhe një sqarim për mungesën e ekspertëve britanikë në këtë proces.

“Unë ENDE nuk kam pranuar konfirmim nga Ambasada Britaneze për përfshirje në emërimin e anëtarëve të bordit përfshi të KPM-së, megjithëse e kam publikuar kërkesën zyrtare që e kam dorëzuar në kryesi të kuvendit”, ka shkruar Kica-Xhelili.

Ajo ka thënë se nuk mund të hidhet poshtë krejt procesi i rekrutimit.

“Ne mund ti pranojmë kritikat konstruktive për këtë proces, por asesi nuk mund t’i pranojmë tendencat e tilla ku i gjithë procesi vihet në pikëpyetje sepse dikujt nuk i ka mjaftuar njoftimi në seancë plenare (publike) në Kuvendin e Republikës së Kosovës, se u themelua komisioni ad-hoc që me automatizëm nënkupton fillimin e procedurave të vlerësimit të kandidatëve”, ka thënë ajo.