Morina në Paradaën e Krenarisë më 2018
Aktivisti për të drejtat e komunitetit LGBTI flet për marrëveshjen Kosovë-Serbi
Roli i Kosovës karshi avokimit për të drejtat e homoseksualëve nëpër botë po shihet si i zbehtë duke marrë parasysh gjendjen aktuale me të drejtat e këtij komuniteti në vend.
Kosova dhe Serbia dje kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë.
Ndër pikat e marrëveshjes së nënshkruar është edhe ajo se të dyja shtetet do të punojnë me 69 vendet, të cilat homoseksualitetin e konsiderojnë si krim, që ta dekriminalizojnë.
Blert Morina nga organizata CEL Kosovo thotë se është e pritshme që shtetet si ShBA, të cilat besojnë në barazi dhe të drejtat e njeriut të avokojnë për këto të drejta në një shtet ku ka shkelje të tilla.
Por, Morina është skeptik se Kosova do të bëjë ndonjë gjë që do të çonte në dekriminalizimin e homoseksualitetit në shtetet ku konsiderohet se është e kriminalizuar kur dihet që në Kosovë ka ngecje të implementimit të legjislacionit në lidhje me të drejtat e komunitetit LGBTI në përgjithësi.
“Është shumë e rëndësishme kjo pikë e përfshirë në marrëveshje e shumë përfolur mirëpo dyshoj që përfaqësuesit e Kosovës do të bëjnë ndonjë hap në ato shtete në të cilat është i kriminalizuar homoseksualiteti”, është shprehur Morina.
Sipas tij, praktika në Kosovë ka treguar se ngecjet në implementimin legjislacionit që do t’i avanconte të drejtat e komunitetit homoseksual siç është martesa, nuk janë shpresëdhënëse që përfaqësuesit e Kosovës të jenë ndihmë e këtij komuniteti ku të qenit homoseksual konsiderohet krim.
Morina ka thënë po ashtu se disa nga nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje janë pjesë e partive politike të cilët nuk i kanë përfshirë të drejtat e LGBTI as në programet e tyre qeverisëse.
Në Kosovë, e drejta e martesës për personat e gjinisë së njëjtë nuk mund të realizohet.
Megjithëse Kushtetuta e Kosovës thotë se “të gjithë” gëzojnë të drejtën për t’u martuar, pa i referuar specifikisht orientimit seksual, martesa në Kosovë specifikohet me Ligjin për Familjen.
Ligji i cili rregullon martesën dhe siguron të drejtën për një familje, specifikon që martesa përcaktohet si midis dy personave të gjinive të ndryshme.
Së fundmi u bënë rekomandimet gjatë fazës së konsultimit publik të projektit të Kodit Civil në Mars 2019 nga Organizatat e Shoqërisë Civile të cilat i referohen natyrës diskriminuese të Ligjit për Familjen dhe i kërkuan Ministrisë së Drejtësisë të mbyllë hendekun në legjislacion.
Sidoqoftë, në vend që të ndryshohet ose harmonizohet ligji, është bërë hapësirë për shtimin e ligjeve të veçanta jashtë kornizës rregullative të Kodit Civil.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë mori pjesë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Marrëveshja u nënshkrua në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.