Aktivistët serbë shtojnë luftën kundër homazheve për Ratko Mlladiçin

Një mosmarrëveshje e hidhur mbi një mural në Beograd që lavdëron Ratko Mlladiçin, të cilin aktivistët janë përpjekur vazhdimisht ta prishin, ka nxjerrë në pah sesi grafiti dhe muralet në nder të kriminelit të luftës serb të Bosnjës mbeten një problem i përhapur në Serbi.

“Murali duhet të hiqet”, shkruhej në një pankartë në një protestë në qendër të Beogradit të martën e shkaktuar nga arrestimi i dy aktivisteve, Aida Coroviç dhe Jelena Jacimovic, të cilat qëlluan me vezë një mural të Ratko Mlladiçit në murin e një rezidence banimi në qytet.

Murali i kriminelit serb të Bosnjës në lagjen Vraçar të qytetit po ruhej nga policia në atë kohë sepse Ministria e Brendshme kishte ndaluar tubimet publike pranë tij pasi OJQ-ja Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut u bëri thirrje njerëzve që t’i bashkoheshin atyre dhe të fshinin imazhin e komandant ushtarak të kohës së luftës.

Të nesërmen, murali ishte përsëri në qendër të lajmeve kryesore kur politikani Djordjo Zujoviç hodhi mbi të një kovë me bojë të bardhë. Por kaluan vetëm disa orë përpara se një grup të rinjsh të ekstremit të djathtë me xhaketa, kapele dhe maska ​​të zeza të mbërrinin aty për ta pastruar dhe rilyer imazhin.

Pasi hodhi bojë në fytyrën e Mlladiçit, Zujoviç tha se murali “përfaqëson një njollë në fytyrën e çdo qytetari të Serbisë” – por ai gjithashtu vuri në dukje se “nëse do të dilnit nëpër Serbi tani, ka dhjetëra murale të tilla”.

Grafitet që lavdërojnë Mlladiçin, sloganet e bëra me bojë me spërkatje që e përshkruajnë atë si një “hero” dhe veprat e artit të rrugës me fytyrën e tij mund të shihen vërtet në vende të ndryshme anembanë vendit, dhe homazhe të tilla shpesh mbeten të paprekura për muaj të tërë. Autoritetet në Serbi, policia e komunitetit dhe oficerët e rregullt, zakonisht nuk bëjnë asgjë për këtë. Thjesht regjistrojnë herë pas here ankesa.

Heqja e grafiteve të tilla, nëse ndodh, zakonisht është iniciativë e individëve ose e grupeve të aktivistëve kundër luftës. Por Ivan Djuriç, drejtor programi në Nismën Rinore për të Drejtat e Njeriut, thotë se murali në Vraçar në Beograd “është bërë shumë më simbolik” se sa pikturat e tjera pro Mlladiçit.

“Ky mural nuk është si çdo grafit tjetër – në qytet ka shumë – dhe ne donim të bënim një aksion më të gjerë, në të cilin ishte përfshirë komuniteti lokal… për ta hequr këtë mural, si shembull, me shpresën se kjo do të çojë në heqjen e muraleve të tjera gjithashtu”, tha Djuriç për BIRN.

Megjithatë, ai shtoi: “Ne jemi të vetëdijshëm se nuk mund t’i heqim të gjitha ato që ekzistojnë në qytet dhe në Serbi.”

Glorifikimi i Ratko Mlladiçit nuk është një fenomen i ri në rrugët e Serbisë, ku komandanti ushtarak serb i Bosnjës u arrestua në vitin 2011 dhe u dërgua për t’u gjykuar në Gjykatën e Hagës.

Në maj të vitit 2007, policia arrestoi një grup aktivistësh të së djathtës ekstreme, të cilët po vendosnin tabela në rrugë në Beograd me mbishkrimin “Bulevardi Ratko Mlladiç”. Disa ditë më vonë, ultra-nacionalistët nga Partia Radikale Serbe vendosën tabela të ngjashme në një rrugë që mban emrin e kryeministrit reformist properëndimor Zoran Djindjiç, i cili filloi të dërgonte të dyshuar për krime lufte në Gjykatën e Hagës kur ishte në pushtet.

Ultra-nacionalistët udhëhiqeshin nga Aleksandër Vuçiç, i cili në atë kohë ishte sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale dhe tani është president i Serbisë. Vuçiç u tha mediave se ata e bënë atë “për të treguar se ne e duam Serbinë”.

Sipas mediave lokale, deputetët e Partisë Demokratike i hoqën tabelat në rrugë. Megjithatë, të njëjtat u shfaqën në Beograd dhe në qytetin verior të Novi Sadit në vitin 2010 në përvjetorin e vrasjes së Djindjiçit nga operativët e sigurimit të shtetit që punonin me një bandë të krimit të organizuar.

Në korrik 2013, një grafiti me emrin e Mlladiçit u pikturua në një xhami në qytetin e Nishit, edhe pse ndërtesa fetare ka mbikëqyrje 24-orëshe nga policia. Ai u hoq nga autoritetet e qytetit dhe një kompani private vetëm pas pesë ditësh.

Një mural i Mlladiçit në stadiumin e klubit të futbollit Fruskogorac, Sremska Kamenica, gusht 2021. Foto: 021.rs.

Sipas fotove dhe raporteve të lajmeve në mediat serbe, ka pasur një shtim të grafitive pro Mlladiçit rreth kohës së vendimit përfundimtar në gjyqin e tij në qershor të këtij viti.

Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë la në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm të shefit ushtarak serb të Bosnjës për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë vendin gjatë luftës, terrorizimin e popullsisë së Sarajevës me një fushatë granatimesh dhe me sulmesh me snajper gjatë rrethimit të qytetit dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Megjithatë, autoritetet serbe dhe nacionalistët serbë nuk pranojnë që masakrat e boshnjakëve të vitit 1995 nga forcat serbe të Bosnjës nën udhëheqjen e Mlladiçit përbënin gjenocid dhe vazhdojnë të pretendojnë se gjykata e Hagës është e njëanshme kundër serbëve. Pas vendimit, tabloidet pro-qeveritare në Beograd dënuan atë që ata pretenduan se ishte një dënim i padrejtë i Mlladiçit, duke e përshkruar atë si një “hero serb”.

Një tjetër mural i ri i Mlladiçit thuhet se u pikturua në një mur në lagjen e Beogradit të Ri të kryeqytetit në qershor, si dhe grafiti “Bulevardi Ratko Mlladiç”, ndërsa kishte incidente të ngjashme në Novi Sad dhe në qytetin Sremska Kamenica.

Mediat raportuan se murali në Sremska Kamenica u ndot me bojë të zezë të martën e kësaj jave, në të njëjtën ditë kur aktivistet qëlluan me vezë muralin në Beograd.

Një ditë pasi u arrestua se qëlloi me vezë muralin e Mlladiçit në Beograd të martën, Aida Corovic shpjegoi për BIRN se ai ishte një akt spontan.

Corovic kishte shkuar në vendin e muralit, duke pritur se do të kishte një lloj grumbullimi joformal – “që do të mblidheshin 50, 100 aktivistë, se do të qëndronim atje, nuk do të na duhej të bënim asgjë veçse të qëndronim aty për të treguar se jo të gjithë mendojnë se Ratko Mlladiç është një hero”.

“Megjithatë, u habita nga fakti që ishim vetëm dy vetë dhe thashë: “Kjo është e tmerrshme. Do të përcillet mesazhi se ata kanë fituar dhe unë nuk mund ta lejoj këtë”, tha ajo.

Ajo bleu disa vezë në një dyqan aty pranë dhe ajo dhe Jelena Jacimoviç  i hodhën ato në imazhin e kriminelit serb të Bosnjës, derisa u tërhoqën zvarrë nga oficerët e policisë të veshur me rroba civile.

“Është një gjest i vogël. Vezët mund të lahen. Njolla nuk është as e dukshme, por tregon atë që ne përfaqësojmë”, tha ajo.

Ivan Djuric tha se aktivistët politikë pikturojnë murale në rrugë “për të pushtuar hapësirën publike, për të dërguar një mesazh për një audiencë shumë të gjerë”.

Ai përmendi muralet e shumta në të gjithë Beogradin që lavdërojnë klubet më të famshme të futbollit të kryeqytetit, Partizanin dhe Yllin e Kuq. “Në çdo zonë të Beogradit dihet nëse ata janë tifozë të Partizanit apo Yllit të Kuq atje, dhe kjo bëhet e ditur duke sunduar hapësirën publike përmes grafiteve dhe muraleve”, tha ai.

Kur bëhet fjalë për muralet e Mlladiçit, ai tha se mbështetësit e gjeneralit të kohës së luftës duan të përcjellin mesazhin: “Serbia është e jona, Beogradi është i yni”.

Ndërkohë aktivistët e angazhuar në luftën e vazhdueshme për të hequr muralet që festojnë kriminelët e luftës janë të vendosur të tregojnë se nuk është kështu.